Ish-drejtoresha e Teknologjisë në OpenAI, Mira Murati, po mbledh fonde nga investitorë sipërmarrës për të nisur biznesin e saj të ri me inteligjencë artificiale, kanë bërë me dije burimet për Reuters. Ajo synon të ndërtojë produkte të bazuara në modelin AI, por nuk është saktësuar nëse do të jetë drejtoreshë ekzekutive e biznesit.
Shqiptarja Mira Murati s'ka pranuar t'i komentojë raportimet e mediumit, derisa është thënë se ajo mund t'i mbledhë mbi 100 milionë dollarë bazuar në reputacionin e saj.
Raportohet se Murati ka rekrutuar punonjës të OpenAI për të filluar me biznesin e ri.
Mira Murati ka dhënë dorëheqje në shtator nga kompania që krijoi platformën ChatGPT.
Në ditët e para ishte raportuar se ajo ka pasur konflikt me drejtuesin e kompanisë, Sam Altman, të cilin e kishte përkrahur në periudhën kur bordi i OpenAI kishte tentuar t’i marrë drejtimin.
Gazeta prestigjioze amerikane “Time” e kishte përfshirë emrin e shqiptares Mira Murati në mesin e 100 personave më me ndikim në teknologjinë që po bën revolucion në botë.