Tech

Microsofti paralajmëron konzolën e gjeneratës së ardhshme Xbox Series X

Në një njoftim të papritur, gjatë ngjarjes The Game Awards 2019, Microsofti i zbuloi detajet e para dhe prezantimin e konzolës së gjeneratës së ardhshme të Xbox. Phil Spencer doli në skenë për ta prezantuar Xbox Series X, duke e konfirmuar emërtimin e ri dhe pamjen e pajisjes së ardhshme. Gjithashtu u shfaq edhe Xbox Wireless Controller, raporton Neowin.

Microsofti e ka bërë këtë deklaratë pas prezantimit të konzolës: "Xbox Series X do të jetë konzola jonë më e shpejtë dhe më e fuqishme ndonjëherë dhe do ta vendosë një nivel të ri për performancën, shpejtësinë dhe kompatibilitetin, duke ia mundësuar lojtarit që t’i marrë me vete lojërat nga tre gjeneratat. Dizajni industrial i konzolës na mundëson të ofrojmë katër herë më shumë fuqi procesorike sesa Xbox One X, në një mënyrë më të qetë dhe më efikase."

Konzola do ta mbështesë vendosjen horizontale dhe vertikale, slloti për disqe është në pjesën e përparme, ndërsa pjesa e sipërme me siguri është e pajisur me ventilatorë për qarkullim të ajrit.

Kur bëhet fjalë për harduerin e brendshëm, Xbox Series X e përdor çipin e personalizuar AMD me arkitekturat Zen 2 dhe RDNA, dhe e ka raytracingun e përshpejtuar harduerikisht, shkruan KOHA Ditore. Microsofti thekson që konzola do të jetë në gjendje ta mbështesë gameplayin 4K 60FPS, me një rritje të mundshme edhe në 120FPS.

Kontrollori i ri është i ngjashëm me atë aktual Xbox Wireless Controller, por forma dhe madhësia e tij janë përpunuar deri diku, sipas Microsoftit. D-padi i ri do të jetë i ngjashëm me aparaturën Xbox Elite Series 2, ndërsa butoni i ri fizik Share do të implementohet për krijimin e klipeve dhe screenshoteve. Kontrollori do t’i mbështesë edhe konzolat Xbox edhe PC.

Konzola Xbox Series X dhe Xbox Wireless Controller i ri arrijnë gjatë sezonit të festave të vitit 2020.