Tech

Meta heq përmbajtjet që mbështesin trazirat në Brazil

Kompania amë e Facebookut, Meta Platforms ka njoftuar të hënën se po e heq përmbajtjen që mbështetë ose lavdëron trazirat e krijuara së fundmi në Brazil nga protestuesit të cilët kanë hyrë në ndërtesën e qeverisë braziliane, raportoi Reuters.

Dhjetëra mijëra mbështetës të ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, kanë thyer dritaret e pallatit presidencial, si dhe kanë hyrë edhe në pjesë të Kongresit e në dhomat e Gjykatës së Lartë për orë të tëra.

"Përpara zgjedhjeve, ne e caktuam Brazilin si një vend të përkohshëm me rrezik të lartë dhe kemi hequr përmbajtjen që u bën thirrje njerëzve të përdorin armët ose të pushtojnë me forcë Kongresin, pallatin presidencial dhe ndërtesa të tjera federale. Ne po e përcaktojmë këtë si ngjarje dhunuese, që do të thotë se do të heqim përmbajtjen që mbështet ose vlerëson këto veprime. Po ndjekim në mënyrë aktive situatën dhe do të vazhdojmë të heqim përmbajtjen që shkel politikat tona”, ka thënë një zëdhënës i Metas.

Presidenti i majtë, Luiz Inacio Lula da Silva mori detyrën më 1 janar pasi mposhti Bolsonaron në balotazhin e zgjedhjeve në tetor, duke i dhënë fund qeverisë së djathtë të Brazilit për dekada.

Bolsonaro refuzoi të pranonte humbjen dhe disa mbështetës kanë pretenduar se zgjedhjet ishin vjedhur, me ç’rast janë organizuar protesta përmes platformave si Twitter, Telegram, TikTok, Youtube e Facebook.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, ka urdhëruar platformat e rrjeteve sociale të bllokojnë përdoruesit që përhapin propagandë antidemokratike.