Tech

Meta dhe TikToku do të ballafaqohen me hetim nëse nuk i përgjigjen BE-së

TikTokut dhe Metas u është thënë zyrtarisht që t’i ofrojnë Bashkimit Evropian informacion për mundësinë e përhapjes së dezinformatave në platformat e tyre lidhur me konfliktin Izrael-Gaza.

Më herët u ishte dhënë 24 orë kohë për të ofruar përgjigje, por kjo kërkesë nuk kishte fuqi ligjore, raportoi BBC.

Të dyja kompanitë kanë një javë kohë që të përgjigjen tani. Sipas rregullave të teknologjisë, BE-ja mund të hapë hetim zyrtar nëse është e pakënaqur me përgjigjet e tyre.

BE-ja është e shqetësuar për mundësinë e përhapjes së përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme, dhe gjuhës së urrejtjes, pas sulmit të Hamasit në Izrael.

Të dyja kompanitë kanë thënë se po punojnë për të nxjerrë raport dhe që t’i mbajnë platformat të sigurta nga përmbajtjet e tilla.

BE-ja pati paralajmëruar edhe platformën X për të njëjtën gjë. X pati thënë se kishte fshirë qindra llogari të lidhura me Hamasin.