Tech

Mbyllet rrjeti social Koo

Rrjetet sociale

Miliona përdorues të rrjetit social Koo në Indi janë bllokuar pasi kjo platformë, që e konsideron veten alternativë të X-it (ish-Twitter), njoftoi se po mbyllet.

Themeluesit e platformës thanë se mungesa e fondeve dhe kostoja e lartë për teknologjinë çuan në këtë vendim, ka raportuar BBC.

“Me zemër të rënduar ju njoftojmë se Koo nuk do të funksionojë më. Ne do të ndalojmë punën më 3 korrik 2024. E filluam Koo me misionin për t'i bashkuar njerëzit në bazë të gjuhës së tyre amtare. Shumica e produkteve globale fokusohen në anglisht, por 80 për qind e botës i flet 1000 gjuhë të tjera përpos anglishtes. Ne donim t'i ndihmonim këta përdorues të lidhen dhe të shkëmbejnë opinione me njëri-tjetrin në një mënyrë më kuptimplote...Koo ishte një fëmijë COVID. Gjatë këtyre viteve ai mori shumë dashuri nga përdoruesit, krijuesit, personalitete eminente dhe nga e gjithë bota e mediat. Ishte i vetmi konkurrent i vërtetë i Twitterit. I moti mbi 60 milionë shkarkime, 8000+ llogari VIP, 100 llogari të botuesve dhe miliona orë janë shpenzuar nga të gjithë duke konsumuar përmbajtje...Është koha për t'i thënë lamtumirë zogut të vogël të verdhë”, thuhet në reagimin lamtumirës të kompanisë.

Koo është lansuar në vitin 2020, duke funksionuar si rrjet në më shumë se 10 gjuhë indiane, ndërsa u bë i njohur në periudhën kur shefi i X-it, Elon Musk, u përplas me qeverinë indiane me akuzën se X-i përhapte lajme të rreme.

Themeluesit e rrjetit social indian, Aprameya Radhakrishna dhe Mayank Bidawatka kishin synime që ta tejkalonin rrjetin e Muskut, por “një dimër i madh krize” i detyroi ata t'i zbusnin ambiciet e tyre.

“Hulumtuam partneriteti me kompani të shumta të mëdha interneti dhe shtëpi mediatike, por bisedimet nuk dhanë rezultatin që dëshironim. Shumica e tyre nuk donin të merreshin me përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit dhe natyrën e egër të një kompanie të rrjeteve sociale. Disa prej tyre i ndryshuan prioritetet pothuajse para nënshkrimit”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Në prill të 2023-s, Koo i kishte larguar nga puna 260 punëtorë, pasi kompani përballej me humbje të mëdha dhe mungesë financimi.