Tech

Laptopi më i ri i “Lenovos” për gaming, Legion, mbështetet në GPU eksterne

“Lenovo” po e fillon vitin 2020 me lansimin e laptopit për gaming të emërtuar Legion Y740S. Laptopi ka ekran 15.6-inçësh, ndërsa kompania e quan atë modelin më të hollë dhe më të lehtë për gaming. Legion Y740S është destinuar gjithashtu të përdoret edhe me GPU-në e parë eksterne të kompanisë “Lenovo” – Legion BoostStation, raporton Engadget.

Laptopi përdor procesor deri në modelin Core i9, deri në 32 GB RAM dhe 1TB SSD. Për luajtjen e lojërave moderne 3D do të nevojitet GPU-ja eksterne, sepse përndryshe do të duhet të mbështeteni vetëm në grafikën e integruar të Intelit.

Legion Y740S mund të konfigurohet ose me ekran standard 1080p ose me ekran 4K, të aftë për HDR dhe Dolby Vision, shkruan KOHA Ditore. Laptopi mund të punojë deri në tetë orë me një mbushje baterie, ndërsa kombinimi i dy porteve Thunderbolt 3 dhe dy porteve USB 3.1 Gen 2 e mundëson shtimin e periferive të shpejta.

Kur bëhet fjalë për vetë Legion BoostStation, nuk bëhet fjalë për ndonjë kthesë rrënjësore ndaj eGPU-ve të tjera Thunderbolt 3. Në pako vjen një gamë e gjerë karakteristikash, nga kartelat grafike GeForce GTX 1660 Ti e deri tek RTX 2080 Super (gjithashtu ofrohet Radeon RX 5700 XT për AMD). GPU-ja eksterne shërben edhe si një hub me dy porte USB 3.1, një port USB 2.0, konektorë HDMI dhe Ethernet.

Image

Legion Y740S dhe BoostStation do të fillojnë të livrohen gjatë muajit maj. Çmimi fillestar i laptopit është 1.100 dollarë, ndërsa vetëm BoostStation kushton 250 dollarë.