Tech

Lansohet zyrtarisht Oppo Find X, kamerat i hapen me mekanizëm

Kompania e njohur kineze, Oppo, pas shumë raportimeve më në fund ka lansuar smartfonin e saj të ri të shumëpërfolur, Find X, i cili vjen me tre kamera që hapen me një mekanizëm – dy kamera në pjesën e pasme dhe një të përparme. Po ashtu, vjen edhe me sistemin 3D për skanim të fytyrës.

Mekanizmi i kamerave është i motorizuar dhe mund të aktivizohet brenda gjysmë sekondi. Kjo e lë tërësisht pjesën e përparme të smartfonit ekranit 6.4-inç (me rezolucion prej 1080 pikselë), transmeton Koha.net. Zyrtarisht, pjesa e ekranit të këtij smartfoni është 92.25 për qind. Po ashtu, edhe pjesa e pasme e telefonit e lirë, kamera e dyfishtë kryesore është e fshehur brenda telefonit.

Nuk ka skaner për gishta, kështu që Find X mbështetet në skanimin 3D të fytyrës për kyçje të sigurt.

Sa i përket kapacitetit të kamerave, kamera e dyfishtë është prej 16 + 20 megapikselë dhe ajo e përparme prej 25 megapikselë.

Lexoni edhe: 

Lansohet smartfoni i parë në botë me komplet ekran

Gjithashtu, Find X vjen me procesor Snapdragon 845, 8 GB RAM memorie dhe 128 ose 256 GB memorie të brendshme, përcjell Koha.net. Bateria e tij është me kapacitet prej 3,730 mAh dhe ofron mbështetje për teknologjinë VOOC për karikim të shpejtë. Po ashtu, ky smartfon punon me sistemin operativ Color OS, një sistem i përshtatur i Android 8.1 Oreo.

Oppo Find X, po ashtu, ofron mbështetje globalisht për dy SIM kartela dhe LTE. Çmimi i tij ende nuk është zbuluar, por para-shitjet pritet të fillojnë nga sot.

{gallery}