Një raport i Komitetit Kinez të Industrisë së Lojërave thotë se të rinjtë e kanë kapërcyer varësinë e tyre ndaj video-lojërave, shkruan The Guardian.
Ky raport mund të ndikojë te zyrtarët, të cilët më parë i kanë quajtur video-lojërat "opium shpirtëror", për të lehtësuar kufizimet aktuale të rrepta për këto lojëra. Që nga gushti 2021, fëmijëve në Kinë u ndalohet të luajnë video-lojëra për më shumë se tre orë në javë.
Sektori i video-lojërave është gjithashtu i prekur nga "ngrirja" e qeverisë kineze që nuk lejon publikimin e lojërave të reja, që synon rregullimin e sektorit të madh të teknologjisë kineze.
Agjencia kërkimore CNG mori pjesë në përgatitjen e raportit dhe dha të dhënat e saj, të cilat tregojnë se 75 për qind e lojtarëve të rinj luanin video-lojëra më pak se tre orë në javë. Kompanitë kineze të lojërave si Tencent kanë arritur "rezultate të jashtëzakonshme", thuhet në raport.
Qeveria kineze pretendon se varësia nga video-lojërat ka rezultuar në rritje të miopisë, përqendrim të dobët, probleme të shëndetit mendor dhe çrregullime të gjumit. Shqetësimet për kohën para ekranit janë shtuar për shkak të bllokimit nga COVID-19, prandaj fokusi është te mësimi online.
Pas kufizimeve të video-lojërave, versioni kinez i TikTokut, i quajtur Douyin, ndaloi njerëzit nën moshën 14 vjeç të përdorin platformën për më shumë se 40 minuta në ditë.
Megjithatë, me ardhjen e dimrit dhe rritjen e numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kinë, fëmijët kalojnë më shumë kohë në shtëpi dhe disa prindër u lejojnë atyre qasje në profilet e tyre për t'i argëtuar.
Video-lojërat janë bërë më të njohura edhe në mesin e të rriturve kinezë. Gazeta China Daily raportoi se njerëzit që jetojnë në shtëpi pleqsh kanë filluar gjithashtu të luajnë lojëra në internet për të "rritur lidhjen me nipërit e mbesat e tyre".
Megjithatë, ekspertët për tregun aziatik të lojërave nga kompania Niko Partners thanë se rënia e të ardhurave në Kinë është shkaku që të rinjtë më nuk janë të varur si dikur nga video-lojërat.