Kina është duke përdorur ndikues për të përhapur dezinformata në Tajvan përmes rrjeteve sociale si TikTok dhe YouTube, që synojnë të krijojnë dyshime dhe të sabotojnë marrëdhëniet Tajvan-SHBA, raportoi të hënën “Taipei Times”.
Megjithatë, një zyrtar qeveritar tha se është e vështirë për Tajvanin të caktojë një agjenci për të rregulluar aktivitetet në internet.
Në një përpjekje për të ndaluar Partinë Komuniste Kineze nga përdorimi i TikTokut për të përhapur dezinformata dhe për të kërcënuar sigurinë kombëtare, Kabineti në fund të vitit të kaluar ka bërë thirrje për takime ndërministrore, por takime të tilla nuk janë mbajtur ende për shkak të riorganizimit të kabinetit këtë vit, ka thënë zyrtari qeveritar në kushte anonimiteti.
Kabineti i uhdëhequr nga ish-kryeministri Su Tseng-chang ka ndaluar përdorimin e platformës së shkurtër video Douyin, versioni kinez i TikTokut, në pajisjet qeveritare, por nuk ka pasur diskutime të mëtejshme për metoda të tjera për të luftuar kërcënimet që nga riorganizimi i kabinetit në janar.
“Çështja përfshin censurën e fjalës së lirë dhe menaxhimin e përmbajtjes, kështu që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme”, është shprehur ky zyrtar, duke shtuar se BE-ja gjithashtu ka filluar të ndalojë TikTokun në pajisjet qeveritare.
Tajvani është ende duke e vlerësuar çështjen, duke iu referuar metodave të miratuara nga vendet e tjera.