TikTok-u mund të jetë platforma më e mirë për video tërheqëse, por kushdo që e përdor atë për të mësuar rreth COVID-19, ndryshimeve klimatike ose pushtimit të Rusisë në Ukrainë ka të ngjarë të ndeshet me informacione mashtruese, sipas një raporti kërkimor të botuar të mërkurën.
Studiuesit në “NewsGuard” kërkuan përmbajtje rreth temave të spikatura të lajmeve në TikTok dhe thonë se zbuluan se gati 1 në 5 nga videot e sugjeruara automatikisht nga platforma, përmbanin dezinformata, raportoi Associated Press të mërkurën.
Kërkimet për informacion rreth "vaksinës mRNA", për shembull, dhanë pesë video (nga 10 të parat) që përmbanin dezinformata, duke përfshirë pretendime të pabaza se vaksina COVID-19 shkakton "dëmtime të përhershme në organet kritike të fëmijëve".
Studiuesit që kërkonin informacione për abortin, zgjedhjet e vitit 2020, kryengritjen e 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së, ndryshimin e klimës ose pushtimin rus të Ukrainës në TikTok, gjetën video të ngjashme mashtruese të shpërndara mes videove më të sakta.
Sasia e dezinformatave dhe lehtësia me të cilën mund të gjenden ato është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh popullaritetin e TikTok-ut te të rinjtë, sipas Steven Brill, themelues i NewsGuard, një firmë që monitoron dezinformatat.
TikTok-u është domeni i dytë më i popullarizuar në botë, sipas kompanisë së performancës dhe sigurisë në internet “Cloudflare”, i tejkaluar vetëm nga Google.