Kanadaja do të ndalojë aplikacionin TikTok nga të gjitha pajisjet qeveritare, duke filluar nga e marta.
“Vendimi pason një rishikim nga shefi i informacionit të Kanadasë, dhe aplikacioni paraqet një nivel të papranueshëm rreziku për privatësinë dhe sigurinë", tha një zëdhënës i Qeverisë në një deklaratë, raportoi BBC-ja.
Një zëdhënës i TikTok-ut tha se kompania ishte e zhgënjyer nga vendimi.
Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Komisioni Evropian njoftoi një ndalim të ngjashëm.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se kishte mjaft shqetësime për sigurinë rreth aplikacionit.
"Ky mund të jetë hapi i parë, ky mund të jetë hapi i vetëm që duhet të bëjmë”, ka thënë ai të hënën në një konferencë shtypi.
TikTok-u është kritikuar për përdorimin e informacionit personal dhe lidhjet me qeverinë kineze.
Aplikacioni i videove të shkurtra është në pronësi të firmës kineze ByteDance Ltd.
Punonjësve federalë amerikanë iu ndalua përdorimi i TikTok-ut në fund të vitit të kaluar dhe të hënën Shtëpia e Bardhë u dha afat agjencive qeveritare 30 ditë për të pastruar aplikacionin nga sistemet e tyre.
Një numër universitetesh amerikane e kanë ndaluar po ashtu përdorimin e aplikacionit në rrjetet e tyre. Ndalime më të gjera publike janë zbatuar në Indi dhe disa vende të tjera aziatike.
Kompania këmbëngul që zyrtarët e qeverisë kineze nuk kanë akses në të dhënat e përdoruesve dhe se një version kinez i aplikacionit është i ndarë nga ai i përdorur në pjesën tjetër të botës. Por vitin e kaluar, kompania pranoi se disa staf në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.
Ndalimi për punonjësit e Komisionit Evropian do të hyjë në fuqi më 15 mars.