Shefja ekzekutive e Youtubet dhe një nga punonjëset e para të Googlet, Susan Wojcicki, po largohet nga roli i saj në gjigantin e teknologjisë pas 25 vjetësh, raportoi të enjten Reuters.
Largimin e saj nga Google e bëri të ditur vetë Wojcicki përmes rrjeteve sociale.
Pozitën e 54-vjeçares do ta marrë zëvendësi i saj, Neal Mohan, drejtues i lartë i reklamave dhe produkteve, i cili iu bashkua Googlet në vitin 2008.
Ky ndryshim ndodhi pasi të ardhurat nga reklamat e Youtubet kanë rënë për tremujorin e dytë radhazi mes konkurrencës intensive lidhur me shërbimet e videove në formë të shkurtër si TikTok dhe Reels të Facebookut, si dhe shërbimet e transmetimit si Netflix.
Një nga gratë më të njohura në teknologji, Wojcicki ka thënë se do të fokusohet në familje, shëndet dhe projektet personale, si dhe planifikon të marrë një rol këshillues në Alphabet.
Ajo ishte më parë nënkryetare e lartë për produktet e reklamave në Google dhe u bë drejtoreshë ekzekutive e YouTubet në vitin 2014.