Tech

Irani heq kufizimet për WhatsAppin dhe Google Play-n

WhatsApp

Autoritetet iraniane kanë hequr kufizimet për platformat WhatsApp dhe Google Play, kanë raportuar të martën mediat shtetërore të Iranit, transmetoi Reuters.

Ky është cilësuar si hap i parë për heqjen e kufizimeve në internet. 

Republika Islamike ka disa nga kontrollet më të rrepta për qasjen në internet në botë.

"Është arritur një votë e shumicës për të hequr kufizimet në qasjen në disa platforma të huaja të njohura si WhatsApp dhe Google Play", ka raportuar agjencia zyrtare e lajmeve iraniane “IRNA”, duke iu referuar një takimi për këtë çështje të kryesuar nga Presidenti Masoud Pezeshkian. "Sot është ndërmarrë hapi i parë në heqjen e kufizimeve të internetit," citoi IRNA të ketë thënë ministri iranian i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Sattar Hashemi.

Këto platforma u ndaluan për shkak të përdorimit të madh në protestat antiqeveritare në Iran.