Tech

Inteligjenca amerikane alarmon për spiunimin e Kinës përmes TikTokut

Kina mund ta përdorë aplikacionin e TikTokut për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Avril Haines, në një seancë dëgjimore të komitetit të inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.

I pyetur nga përfaqësuesi demokrat Raja Krishnamoorthi nëse partia komuniste në pushtet e Kinës (CCP) do të përdorte TikTokun për të ndikuar në zgjedhje, Haines ka thënë se “ne nuk mund të përjashtojmë që CCP do ta përdorë atë”.

Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur prej kohësh shqetësime se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve ose të ndikojë në atë që njerëzit shohin në aplikacion, duke përfshirë përmbajtje që nxisin ndarjet politike në SHBA.

Krishnamoorthi dhe kryetari republikan i panelit në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Gallagher, prezantuan javën e kaluar një projektligj që do t'i jepte pronarit kinez të TikTokut, ByteDance, rreth gjashtë muaj kohë për ta shitur aplikacionin që përdoret nga 170 milionë amerikanë.

TikTok, i cili thotë se nuk ka dhe nuk do të ndajë të dhënat e përdoruesve të SHBA-së me qeverinë kineze, argumenton se projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve përbën ndalim për aplikacionin.

Presidenti Joe Biden ka thënë javën e kaluar se do ta nënshkruante projektligjin, por aplikacioni është i popullarizuar dhe miratimi i legjislacionit nga Dhoma dhe Senati në një vit zgjedhor mund të jetë i vështirë.

Është e paqartë nëse Kina do të miratonte ndonjë shitje ose nëse TikToku mund të shitet brenda gjashtë muajve.

Vlerësimi vjetor i kërcënimit për vitin 2024 i Komunitetit të Inteligjencës Amerikane i publikuar të hënën ka thënë se llogaritë e TikTokut të drejtuara nga një krah propagandistik i qeverisë kineze thuhet se synonin kandidatë nga të dyja partitë politike gjatë ciklit zgjedhor të mesmandatit të SHBA-së në vitin 2022.

Gjithashtu duke folur në seancën dëgjimore të Dhomës, drejtori i FBI-së, Christopher Wray përsëriti vlerësimin se TikToku përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

https://www.koha.net/bote/412534/dhoma-e-perfaqesuesve-kalon-projektligjin-qe-mund-ta-ndaloje-tiktok-un-ne-shba/