Instagrami ka kaluar TikTokun si aplikacioni më i shkarkuar në botë pasi veçoria e videove të shkurtra, Reels, e ndihmoi të rikuperonte terrenin e humbur ndaj rivalit kinez, shkruan The Guardian.
Aplikacioni për ndarjen e fotografive dhe videove u rrit në popullaritet pas lansimit të tij më 2010, por është përballur me konkurrencë të ashpër vitet e fundit nga TikToku, platforma e videove të shkurtra.
Sidoqoftë, lansimi i Reels nga Instagrami në vitin 2020 që shihet gjerësisht si imitim i TikTokut, e ka ndihmuar rrjetin social të jetë sërish në krye. Aplikacioni u shkarkua 767 milionë herë në mbarë botën në vitin 2023, rritje prej 20% në krahasim me vitin e kaluar, krahasuar me 733 milionë për TikTokun, i cili u rrit me 4%. TikToku kishte qenë aplikacioni më i shkarkuar globalisht midis viteve 2018 dhe 2022.
Kompania e inteligjencës së tregut Sensor Tower, e cila përpiloi të dhënat, ka thënë se ringjallja e Instagramit “ka gjasa të jetë nxitur nga popullariteti i veçorisë së Reelsit”, si dhe funksionet e tjera që ka.
Instagrami ka gati 1.5 miliardë përdorues aktivë mujorë, sipas Sensor Tower, ndërsa TikToku pak më shumë se 1.1 miliardë. Megjithatë, TikToku ka më shumë përdorues aktivë, të cilët shpenzojnë mesatarisht 95 minuta në ditë në aplikacion, krahasuar me 62 minuta për Instagramin.
TikTok gjithashtu përballet me kundërshtime serioze politike në SHBA mes shqetësimeve të vazhdueshme për pasojat pasi kompania është në pronësi kineze.