Tech

Instagrami do të kërkojë datën e lindjes para kyçjes

Instagrami do të kërkojë nga të gjithë përdoruesit të shënojnë datën e lindjes para se të përdorin aplikacionin, ka njoftuar Facebook, si pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të prezantuar një përvojë të sigurt për përdoruesit nën 18 vjeç.

Kërkesa është futur vetëm dy ditë para se Mbretëria e Bashkuar të fillojë të zbatojë kodin e dizajnit të përshtatshëm për moshën. Kodi kërkon që kompanitë të identifikojnë përdoruesit fëmijë dhe të bëjnë përpjekje të veçanta për të ruajtur të dhënat e tyre personale, të kufizojnë përpjekjet për të ndryshuar sjelljen e tyre dhe t’i japin përparësi mirëqenies së tyre.

Përdoruesve të rinj u është kërkuar të futin datën e tyre të lindjes si pjesë e procesit të regjistrimit në aplikacion që nga viti 2019, por, për herë të parë, përdoruesve ekzistues do t'u kërkohet të japin moshën e tyre me hapjen e aplikacionit. Në afat të shkurtër, hedhja poshtë e kërkesës do të bëjë që Instagram të turbullojë postimet që konsiderohen të ndjeshme, raporton Guardian. Sidoqoftë, Instagrami përfundimisht do të kërkojë nga përdoruesit të shtojnë ditëlindjen e tyre për të vazhduar përdorimin e aplikacionit në tërësi.

"Ky informacion na lejon të krijojmë veçori të reja të sigurisë për të rinjtë dhe na ndihmon të sigurojmë që ne t'i ofrojmë përvojat e duhura grupmoshës së duhur", tha kompania në një deklaratë.

Kompanitë përfshirë TikTok dhe Google kanë bërë gjithashtu ndryshime të mëdha në muajin e kaluar në mënyrën sesi ata i trajtojnë përdoruesit fëmijë.

Teksa Instagrami nuk u kërkon përdoruesve të japin prova se data e lindjes së tyre është e saktë, kompania përdor një sërë teknikash për të identifikuar fëmijët që kanë futur informacion të rremë si pjesë e procesit të regjistrimit.