Google është shumë serioze, kur bëhet fjalë për programin e kompanisë “bug bounty”, në kuadër të të cilit hulumtuesit e sigurisë shpërblehen për gjetjen e lëshimeve të sigurisë në produkte dhe shërbime, raporton Engadget.
Gjatë vitit të kaluar, Google ua ka paguar 6.5 milionë dollarë studiuesve për lëshimet e raportuara, gati dyfishi i asaj që është paguar në vitin 2018 (3.4 milionë dollarë). Shpërblimi më i madh i vetëm prej 201.337 dollarë iu dha Guang Gong nga Alpha Lab për gjetjen e lëshimit më të madh të sigurisë në telefonin Pixel 3.
Google Vulnerability Reward Programs (VRP) është në dispozicion që nga viti 2010 dhe është dizajnuar për t’i shpërblyer hulumtuesit për gjetjen e lëshimeve dhe gabimeve të cilat Google nuk i ka vërejtur në produktet dhe shërbimet e veta, shkruan KOHA Ditore. Kjo iniciativë është zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë Chrome dhe Android, ndërsa gjatë vitit të kaluar është aplikuar në çdo aplikacion që i ka mbi 100 milionë instalime.
Vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019, Google ka shpërblyer hulumtuesit me 650.000 dollarë. Edhe pse bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, ky lloj investimi ka kuptim. Me gjithë përpjekjet më të mira, Google sigurisht që nuk është në gjendje që vetë ta zbulojë çdo lëshim, ndërsa shpërblimi i gjuetarëve në lëshime sigurisht që i kushton kompanisë më pak, sesa do të ishte nëse lëshimet e mëdha të mbeteshin në qarkullim dhe do t'u livroheshin përdoruesve të fundit.