Komisioneri i Policisë Metropolitane në Britaninë e Madhe i ka akuzuar së fundi gjigantët e teknologjisë se e kanë bërë më të vështirë identifikimin dhe parandalimin e terroristëve.
“Fokusi i gjigantëve të teknologjisë në kriptimin nga fillimi deri në fund në disa raste ishte kishte pamundësuar policisë kryerjen e punës së vet”, ka shkruar Dame Cressida Dick në “Telegraph”.
Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, ka iniciuar gjatë kësaj jave një fond të ri për teknologjitë me qëllim që të garantohet siguria e fëmijëve. Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje kompanive teknologjike që ta vënë sigurinë e përdoruesve para fitimeve. Por, ekspertët e sigurisë kibernetike i kanë thënë BBC-së se nuk janë të sigurt nëse zgjidhjet që i kërkon qeveria janë të mundshme për t’u realizuar.
“Rreziku për rekrutim”
Dame Cressida theksoi se përparimet në teknologjitë e komunikimit nënkuptonin se terroristët tani janë në gjendje që “të rekrutojnë këdo, kudo dhe në çdo kohë” nëpërmjet mediave sociale dhe internetit.
Si kundërpërgjigje, Mbretërisë së Bashkuar i duhej të zhvillonte vazhdimisht aftësitë e veta digjitale për të qenë në hap me terroristët që e shfrytëzonin teknologjinë për avantazhin e tyre, ka raportuar “Telegraph”.
Mesazhi i Qeverisë i jep jehonë asaj të Patelit, e cila e ka publikuar Fondin e Sfidës Teknike të Sigurisë në një takim të ministrave të brendshëm të G7-s në fillim të kësaj jave. Fondi, i hapur për ekspertë nga e gjithë bota, ka për qëllim që ta trajtojë abuzimin seksual të fëmijëve në internet.
“Pesë aplikuesve do t’u jepen deri në 85.000 funte për të zhvilluar teknologji të reja që mundësojnë zbulimin e materialit të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) në internet, pa e prishur kriptimin nga fillimi deri në fund”, ka bërë të ditur gazeta britanike. Kriptimi nga fillimi deri në fund është element i privatësisë që ia pamundëson kujtdo, përveç dërguesit dhe marrësit, që t’i lexojë mesazhet e dërguara në internet. Kurse gjigantët e teknologjisë, si Facebook, thonë se përdorimi i një teknologjie të tillë do ta mbrojë privatësinë e përdoruesve. Disa qeveri, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Australisë, kanë kundërshtuar vazhdimisht idenë qysh nga viti 2019.
Kundërthëniet në lidhje me planin e “Apple”
Ekspertët e sigurisë kibernetike dhe ata të privatësisë besojnë se pikëpamjet e Patelit dhe Dame Cressidas mund të jenë kundërpërgjigje ndaj vendimit të “Apples” për ta vonuar një plan për skanime në “iPhone” rreth CSAM-së në fillim të këtij muaji.
Teknologjia e zbulimit, e paralajmëruar për herë të parë në gusht, sipas “Telegraph” i krahason imazhet para se të ngarkohen në iCloud me “gjurmët digjitale të gishtërinjve” të materialit të njohur të CSAM-së, në një bazë të dhënash që ka Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar. Teknologjia e “Apples” është kritikuar nga grupet e privatësisë dhe industria e sigurisë kibernetike se po krijonte një precedent të rrezikshëm, ngase përfshinte përdorimin e pajisjes së një personi për ta kontrolluar nëse mund të ishte kriminel potencial.
“Tashmë e kemi kriptimin nga fillimi deri në fund në teknologjinë e mesazheve iMessage të ‘Apples’ - është e çuditshme që organet ligjore dhe qeveria nuk e kanë kundërshtuar ‘Applen’ për këtë gjë, por edhe gjithçka që ka të bëjë me sulmin ndaj Facebookut dhe WhatsAppit”, ka thënë Alec Muffett, që e ka drejtuar ekipin që e krijoi teknologjinë e kriptimit nga fillimin në fund për Facebook Messenger. Gazeta ka specifikuar se është shkruar shumë mbi të dhënat që kanë gjigantët e teknologjisë rreth përdoruesve e shërbimeve të tyre, veçanërisht faktin që ata janë duke ndjekur vazhdimisht sjelljen dhe interesat e përdoruesve në mënyrë që të ofrojnë reklama të personalizuara.
Ai argumenton se kompanitë teknologjike tashmë e posedojnë teknologjinë që u nevojitet për t’i zbuluar pedofilët dhe terroristët, thjesht duke ndjekur sjelljen e tyre - ata nuk kanë nevojë ta komprometojnë privatësinë e një përdoruesi duke shikuar të gjitha dosjet personale në telefonin e tyre.
“Nëse kemi një llogari në Facebook të një mashkulli të moshës së mesme, i cili po u dërgon mesazhe një duzine adoleshentësh, atëherë kemi një aktivitet potencialisht të dyshimtë. Mund të jetë i pafajshëm, por sigurisht që është një çështje që ia vlen të thellohesh”, ka thënë Muffett, i cili ka më shumë se 30 vjet përvojë në sigurinë kibernetike dhe kriptografinë. “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përpiqet ta zbulojë CSAM-në duke e shikuar përmbajtjen, si në përpjekje për të vëzhguar, në vend që të përpiqet t’i vëzhgojë sjelljet”, ka shtuar ai për “Telegraph”.
Për më tepër, thotë ai, hulumtues të shumtë të sigurisë kibernetike e kanë testuar algoritmin NeuralHash të “Apples” dhe kanë gjetur se po ngatërrojnë dy imazhe krejtësisht të ndryshme, duke menduar se janë e njëjta fotografi, kështu që druajnë se “Apple” do t’i akuzojë në mënyrë të rreme përdoruesit se kanë përmbajtje kriminale.
Kritikat për fondin e ri teknologjik
Njëri prej ekspertëve kryesorë të sigurisë kibernetike, i cili ka kërkuar që të mbetet anonim, ka theksuar për BBC-në se ajo që qeveria dëshiron nuk është teknikisht e realizueshme.
“Ju mund ta ndryshoni ligjin e tokës, por nuk mund ta ndryshoni ligjin e shkencës - nuk ekziston asnjë mënyrë për ta mundësuar skanimin masiv të pajisjeve pa e dëmtuar mbrojtjen e kriptimit nga fillimi deri në fund”, ka thënë eksperti. “Nëse dikush ia del ta mbrojë me siguri kriptimin nga fundi deri në fillim gjatë zbulimit të imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve, do të fitojë shumë më tepër sesa 85,000 funte, kështu që thjesht nuk e kuptoj se ku është përfitimi”, ka shtuar ai.
Një shef tjetër i sigurisë kibernetike pajtohet me pretendimin.
“Është pothuajse sikur qeveria po deklaron t’i nxisë Facebookun dhe organizatat e tjera të mediave sociale që të bëjnë më shumë dhe t’u japin atyre më shumë qasje”, ka thënë ai.