Tech

Fundi i rrjeteve sociale

Mori fund. Facebook është në rënie, Twitter në kaos. Vlera e perandorisë së Mark Zuckerbergut ra me qindra-miliarda dollarë dhe kompania pushoi nga puna njëmbëdhjetë mijë punonjës; të ardhurat nga reklamat janë në rënie të fortë dhe projekti metaverse ka ngecur. Pasi Elon Musk bleu Twitter-in, reklamuesit tërhoqën investimet dhe shumë përdorues me ndikim u larguan nga platforma ose të paktën thanë se kishin ndërmend. Ideja se epoka e rrjeteve sociale mund të përfundojë, dhe shumë shpejt, nuk është dukur kurrë kaq e mundshme, shkruan Ian Bogost , gazetar i The Atlantic dhe profesor i shkencave kompjuterike në “Georgia Institute of Technology”

Tani që kemi zbritur në këtë breg krejt papritur, mund të sodisim me sy mbytjen e anijes që na la këtu. Ndoshta do të lehtësohemi: rrjetet sociale nuk kanë qenë kurrë një mënyrë e natyrshme për të punuar, luajtur dhe socializuar, edhe pse janë bërë natyrë e dytë. Përdorimi që ne i kemi bërë këtyre platformave ka evoluar përmes një mutacioni të çuditshëm, aq delikat, sa nuk e vumë re.

Transicioni

Transicioni filloi njëzet vjet më parë, kur pothuajse të gjithë kompjuterët e lidhur në rrjet dhe njerëzit filluan t’i përdorin ato për të ndërtuar dhe menaxhuar marrëdhëniet mes tyre. Ndërtimi i rrjeteve sociale në internet kishte problemet e veta – për shembull, koleksionimi i miqve kishte më shumë rëndësi sesa të qenit miqësor me ta – por ato nuk ishin asgjë, në krahasim me atë që ndodhi më pas. Ngadalë dhe pa bujë, rrjetet sociale morën “pushtetin”. Ndryshimi ishte pothuajse i padukshëm, por pati pasoja të mëdha. Në vend që të lehtësojnë lidhjet ekzistuese – kryesisht si funksion i jetës jashtë Interneti, për shembull për të organizuar një festë ditëlindjeje – rrjetet sociale i kanë shndërruar ato në mjete të mundshme komunikimi. Me një të rënë të lapsit, miliarda njerëz bindën veten se ishin të famshëm dhe opinionistë, dhe se mund të krijonin tendenca të reja.

Një rrjet global në të cilin kushdo mund t’i thoshte çdo gjë kujtdo, kur të donte – dhe në të cilin të gjithë mendojnë se e meritojnë këtë mundësi – është një ide shumë e keqe pikënisjeje, e lidhur me vetë konceptin e mediave sociale: sistemet të krijuara dhe të përdorura për të prodhuar një rrjedhë të pafundme përmbajtjeje, analizon Bogost.

Instrumenta toksike

Sot, këto dhe shërbime të tjera njihen si media sociale, një term kaq i njohur sa që nuk ka më një kuptim të saktë. Megjithatë, njëzet vjet më parë kjo shprehje nuk ekzistonte. Shumë prej këtyre sajteve ishin pjesë e të ashtuquajturit revolucion i web-it 2.0, i përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit, duke ofruar mjete që ishin të lehta për t’u përdorur dhe shfrytëzuar në sajte dhe më pas në aplikacione telefonike. Ata u konceptuan për të krijuar dhe shkëmbyer content (përmbajtje). Por në atë kohë, dhe për vite me radhë, këto mjete quheshin rrjete sociale ose, më shpesh, shërbime të rrjeteve sociale (SNS). Numri i këtyre shërbimeve u rrit aq shumë sa u shpik një akronim zbavitës: Yasn, pra “Yet another social network (Edhe një tjetër rrjet social)”. (Bota.al) Siç e nënkuptonte vetë emri, rrjetet sociale kishin të bënin me krijimin e lidhjeve, jo me postimin e përmbajtjeve. Duke lidhur rrjetin personal të kontakteve të zgjedhura (“lidhjet e forta”, siç i quajnë sociologët) me rrjetet e njerëzve të tjerë (nëpërmjet “lidhjeve të dobëta”), mund të krijohej një rrjet më i madh kontaktesh të besuara. LinkedIn premtoi të lehtësojë kërkimin e punës dhe rrjetëzimin në botën e biznesit përmes niveleve të ndryshme të lidhjeve. Friendster e bëri për marrëdhëniet personale, Facebook për miqtë e kolegjit e kështu me radhë. Ideja bazë ishte rrjetëzimi: ndërtimi ose thellimi i marrëdhënieve, veçanërisht me njerëzit që njihje. Metodat dhe arsyet për këtë studim liheshin kryesisht në diskrecionin e përdoruesve, shkruan Bogost. Gjërat ndryshuan kur rrjetet sociale u bënë media sociale, rreth vitit 2009, mes prezantimit të telefonave inteligjentë dhe lançimit të Instagramit. Në vend të krijimit të lidhjeve, mediat sociale ofruan mundësinë e postimit të materialeve që mund të shiheshin nga një numër i madh njerëzish, shumë prej tyre, përtej rrjeteve të kontaktit të drejtpërdrejtë. Mediat sociale i kanë transformuar të gjithë në prodhues dhe shpërndarës të përmbajtjes. Rezultatet kanë qenë katastrofike, por edhe të këndshme dhe jashtëzakonisht fitimprurëse: një kombinim katastrofik.

Pranimi i rënies

Të tjera shërbime janë krijuar ose kanë evoluar përgjatë këtyre linjave, duke përfshirë Reddit, Snapchat dhe WhatsApp, të cilat janë shumë më popullore se Twitter. Rrjetet sociale, dikur rrugët për të arritur kontakte të mundshme, janë shndërruar në autostrada me përmbajtje të vazhdueshme. Në fazën e tyre të fundit, elementët tipikë të rrjeteve sociale kanë dalë në plan të dytë. Në TikTok mund të ndiqni përdorues të veçantë, por aplikacioni është mbi të gjitha një rrjedhë e pandërprerë e përmbajtjes së videove, të zgjedhura nga një algoritëm. Për të përdorur disa funksione të këtyre shërbimeve është ende e nevojshme të lidhesh me përdorues të tjerë. Por lidhja nuk është më elementi qendror. Mendoni për këtë ndryshim: në epokën e rrjeteve sociale, lidhjet ishin thelbësore sepse na shtynin të krijonim përmbajtje; Epoka e mediave sociale, nga ana tjetër, synon lidhjet sa më të pakta të mundshme, aq sa mjaftojnë për të rrjedhur përmbajtja. (Bota.al)

Rezultati ishte katastrofik në shumë aspekte. Së pari, menaxherët e mediave sociale zbuluan se sa më e ngarkuar emocionalisht përmbajtja, aq më shumë përhapet ajo. Informacioni polarizues, fyes ose thjesht i rremë ishte ideal për ta arritur këtë. Në kohën kur platformat e kuptuan këtë gjë dhe përdoruesit u rebeluan, ishte tepër vonë për të çaktivizuar mekanizmin. Nëse Twitter do të dështonte, qoftë për shkak të rënies së të ardhurave ose borxhit masiv të imponuar nga marrëveshja e Musk, rezultati mund të ndihmojë në përshpejtimin e rënies së mediave sociale në përgjithësi. Do të ishte gjithashtu tragjike prë ata që janë mbështetur te këto platforma, për të gjetur lajme, lidhur me të tjerët, bërë biseda ose thjesht nga detyrimi. Kjo është hipokrizia e momentit. Gara për pëlqime dhe shpërndarje ishte kaq e popullarizuar sepse epoka e zero komenteve kishte qenë e zymtë dhe sepse kërkimi për një numër të madh ndjekësish vrau alternativat shumë kohë më parë. Nëse ndryshimi është i mundur, realizimi i tij do të jetë i vështirë, sepse ne e kemi transformuar jetën tonë për t’iu përshtatur kënaqësive dhe mundimeve të mediave sociale. Duket se heqja dorë është po aq e vështirë sa ishte të lihej duhani masivisht, siç bënë amerikanët në shekullin e 20-të. U deshën dekada ligjesh, fushatash ndërgjegjësimi, stigmash sociale dhe ndryshimesh estetike për të hequr dorë nga cigaret. Ne nuk e lamë duhanin vetëm sepse ishte i keq, demode, apo edhe sepse mund të na vriste. E bëmë ngadalë dhe me kalimin e kohës, duke e detyruar jetën sociale ta mbyste këtë zakon. Tani ka nevojë për një proces të ngjashëm për mediat sociale. Diçka mund të shpëtohej: rrjetet sociale, zemra e lënë pas e këtyre platformave. Nuk ka qenë kurrë një ide e keqe përdorimi i kompjuterëve për t’u lidhur me të tjerët herë pas here, për arsye të justifikuara dhe me moderim. Problemi ishte se u bë si një mënyrë jetese, aspiratë, obsesion. Oferta ka qenë gjithmonë shumë e mirë për të qenë e vërtetë, por u deshën njëzet vjet për të kuptuar natyrën djallëzore të marrëveshjes. Një ditë, më në fund, ndoshta rrjeta e tij do të zgjidhet. Por, jo shpejt dhe jo kollaj. Një vit më parë, kur fola për herë të parë për një ridimensionim, ky objektiv dukej i nevojshëm, por i pamundur. Duket ende e pamundur, por ndoshta përsëri e besueshme. Është një fitore, ndonëse e vogël, me kusht që tërheqja të mos na kthejë në varësi. Për t’iu qasur thelbit të jetës shoqërore, ne duhet të mësojmë ta përmbajmë atë, në të gjithë botën, mes miliarda njerëzve. Flisni më pak, me më pak njerëz dhe më rrallë, dhe bëjini të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë me ju dhe me të gjithë të tjerët. Ne nuk mund t’i bëjmë të mira mediat sociale, sepse ato janë në thelb të këqija. Gjithçka që mund të bëjmë është të shpresojmë se ato do të dobësohen dhe ne të bëjmë pjesën tonë të vogël dhe kontribuojmë për t’i braktisur.