Tech

Fituesja e Nobelit për Paqe: Zuckerberg dhe Musk janë diktatorët më të mëdhenj

Elon Musk & Mark Zuckerberg Maria Ressa

Pronari i Metas, Mark Zuckerberg, dhe ai i “X”, Elon Musk janë “diktatorët më të mëdhenj”, ka thënë fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Maria Ressa.

Gazetarja amerikano-filipino fitoi çmimin Nobel në vitin 2021. Së fundmi, ajo foli për lirinë e medias në një festival letrar.

Për vite me radhë, Ressa ka luftuar kundër ish-presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, por ajo ende e konsideron atë si “diktator shumë më të vogël në krahasim me Zuckerbergun ose Muskun”.

“Këta të dy dëshmuan se ne të gjithë, pavarësisht nga kultura, gjuha apo vendbanimi, kemi shumë gjëra të përbashkëta sepse ata manipulojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë. Rrjetet sociale mund të ndryshojnë ndjenjat tona, gjë që ndikon në mënyrën se si sillemi dhe si e shohim botën”, ka thënë Ressa.

“Mënyra se si kompanitë e teknologjisë promovojnë polarizimin, frikën, zemërimin dhe urrejtjen po na ndryshon në një nivel personal dhe shoqëror”, ka thënë ajo, duke shtuar se duhet të ndryshohen disa gjëra.

Së pari, Ressa beson se duhet të shfuqizohet ligji në SHBA, sipas të cilit kompanitë teknologjike nuk mund të paditen për përmbajtje të publikuar nga përdoruesit. E dyta, beson ajo, është që fëmijët të qëndrojnë larg rrjeteve sociale derisa të rriten mjaftueshëm.

Ajo e ka përkrahur idenë për ndalimin e TikTokut, por se “nuk është e vetmja gjë për të cilën duhet të shqetësohemi, por për të gjitha rrjetet sociale dhe internetin në përgjithësi”.

LEXO EDHE: