Gjiganti teknologjik, Facebook, ka pësuar rënien e parë në përdoruesit aktivë ditorë për herën e parë në historinë e vet 18-vjeçare.
“Meta”, kompania amë e Facebookut, ka thënë se vizitorët ditorë ranë në 1.929 miliardë në tre muaj, deri në fund të dhjetorit, krahasuar me 1.930 miliardë sa ishte një tremujor më herët.
Kompania ka paralajmëruar edhe për ngadalësim të të hyrave në një kohë kur përballet me rivalët e fuqishëm si TikTok e YouTube, me reklamuesit që po ashtu po ulin shpenzimet.
Aksionet e “Metas” ranë për më shumë se 20 për qind në vlerë të tregut. Kompania humbi rreth 200 miliardë dollarë në vlerën e tregut.
Aksionet e rrjeteve tjera sociale, përfshirë Twitterin, Snapin e Pinterestin, po ashtu vazhduan me rënie.
Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg, ka thënë se rritja është goditur nga përdoruesit e rinj që kanë shkuar në platforma tjera.
“Meta”, që është pronare e platformës së dytë më të madhe të reklamimit digjital pas Googlet, ka thënë se është goditur edhe nga ndryshimet në sistemin operativ të Appleit. Ndryshimet ua kanë bërë brendeve më të vështirë targetimin dhe matjet e reklamave të tyre në Facebook e Instagram dhe ndikimi mund të jetë rreth “10 miliardë dollarë sivjet”, sipas “Metas”.