Më shumë se 20 fëmijë janë lënduar në Indonezi pasi morën pjesë në një trend të TikTok-ut, në të cilin ata janë filmuar duke ngrënë një ushqim në rrugë të mbushur me azot të lëngshëm, i njohur si "fryma e dragoit".
Qeveria ka paralajmëruar për rreziqet e përdorimit të azotit të lëngshëm në ushqimet e gatshme dhe ka kërkuar vigjilencë më të madhe pasi disa fëmijë pësuan djegie në stomak dhe helmim nga ushqimi ndërsa hanin chiki ngebul ose chikibulis – një shumëllojshmëri karamelesh me ngjyra ylberi dhe të mbështjellë nga azoti i lëngshëm, raportoi The Guardian të martën.
Azoti i lëngshëm bën që ushqimi të duket i tymosur kur konsumohet, por nëse konsumohet përpara se azoti i lëngshëm të avullojë, ekziston mundësia për djegie dhe përforcim të zorrëve, dhe në rastet më të rënda mund të çojë në vdekje, ka thënë Dr Dicky Budiman, një mjek indonezian dhe studiues i sigurisë globale shëndetësore në Universitetin “Griffith”.
Djegiet e lëkurës dhe vështirësitë e rënda të frymëmarrjes janë rreziqe të tjera të mundshme, tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Indonezisë, Maxi Rein Rondonuëu.
Nuk është raportuar asnjë vdekje, por Ministria tha se rreth 25 fëmijë janë prekur, derisa dy janë shtruar në spital. Budiman ka thënë se numri i fëmijëve të prekur mund të jetë shumë më i lartë.
Në TikTok, dhjetëra video, të shoqëruara me muzikë kërcimi, tregojnë adoleshentët dhe fëmijët e vegjël me re tymi që dalin nga gojët e tyre teksa gllabërojnë chiki ngebul. Në një video që ka grumbulluar afro 60,000 shikime, një fëmijë i vogël mund të shihet duke fryrë tymin përmes vrimës së ëmbëlsirës.