Tech

Bideni e Trumpi “ në luftë” edhe për TikTokun

Presidenti Joe Biden ka thënë të premten se do ta nënshkruajë legjislacionin që i jep kompanisë ByteDance të Kinës rreth gjashtë muaj kohë për të hequr dorë nga aplikacioni TikTok, ndërsa rivali i tij republikan, Donald Trump, ka ngritur shqetësime për ndalimin e shërbimit të përdorur nga 170 milionë amerikanë, raportoi të dielën Reuters.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së planifikon të votojë të martën ose të mërkurën e javës së ardhshme mbi projektligjin për “goditjen” e TikTokut pasi një komitet të enjten e miratoi këtë masë. Dhoma do të votojë mbi propozimin sipas rregullave që kërkojnë, të cilat kërkojnë që dy të tretat e anëtarëve të votojnë pro për ta fituar miratimin.

“Nëse e kalojnë, unë do ta nënshkruaj”, ka thënë Bideni para gazetarëve.

Nuk dihet nëse projektligji do të kalojë në Senat, pasi disa ligjvënës thonë se duan ndryshime në legjislacion.

Trumpi, i cili po kërkon të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit, shprehu kundërshtime për ndalimin e TikTokut.

“Nëse e hiqni qafe TokTokun, Facebooku do ta dyfishojë biznesin. Nuk dua që të ndodhë kjo”, ka thënë Trumpi në rrjetet sociale.

Trump ka kritikuar më parë Metan, kompaninë mëmë të Facebookut për revokimin e qasjes të tij në Facebook dhe Instagram edhe pas heqjes së dy postimeve të tij gjatë trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol. Llogaritë e tij iu rikthyen Trumpit në shkurt të 2023-tës.

Mike Pence, i cili shërbeu si zëvendëspresident nën Trumpin, e ka miratuar legjislacionin e propozuar të Dhomës për TikTokun.

"Kina po helmon mendjet e fëmijëve amerikanë. Mjaft është mjaft", shkroi ai në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Projektligji do t'i japë ByteDancet 165 ditë për ta hequr TikTokun. Nëse dështonte ta bëjë këtë, dyqanet e aplikacioneve të operuara nga Apple dhe Google nuk do të mund ta ofrojnë ligjërisht këtë platformë.