Bashkimi Evropian ka nisur hetimet ndaj rrjetit social TikTok, nën dyshimin se ka shkelur rregullat për mbrojtjen e fëmijëve përballë rreziqeve me të cilat mund të përballen gjatë përdorimit të këtij rrjeti, si një ndër më të mëdhenjtë socialë në botë.
Komisioni i Bashkimit Evropian e ka marrë këtë vendim pasi ligji kërkon që platformat të luftojnë dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme në shërbimet e tyre.
Shkelja mund të çojë në gjobë deri në 6 për qind të të ardhurave globale të kompanisë, raportoi të enjten “Politico”.
Komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton, ka thënë në një deklaratë në platformën X se ekzekutivi i BE-së dyshon se TikToku ka shkelur rregullat për të mbrojtur fëmijët.
Hetimi do të shqyrtojë gjithashtu dështimin e mundshëm për të qenë transparent ndaj studiuesve dhe publikut në lidhje me reklamat në platformë.
TikTok u urdhërua në nëntor t'i shpjegonte Komisionit se çfarë po bënte për të mbrojtur fëmijët në platformën e tij, veçanërisht në lidhje me shëndetin mendor dhe fizik. Iu kërkua veçmas të jepte detaje se si e trajton përmbajtjen e paligjshme dhe u ka lejuar studiuesve qasje në të dhëna.