Tech

BE-ja i vë kushte Tik-Tokut

Shefi i politikave digjitale të Bashkimit Evropian e ka paralajmëruar themeluesin e TikTokut se aplikacioni i mediave sociale do të duhet të jetë në përputhje me rregullat e reja të ashpra për platformat online që do të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit.

Komisioneri i BE-së, Thierry Breton pati një video-telefonatë me Shou Zi Chew, themeluesin e TikTokut, aplikacioni popullor i shpërndarjes së videove në pronësi kineze që po vihet nën kontroll në rritje nga autoritetet perëndimore për frikën në lidhje me privatësinë e të dhënave, sigurinë kibernetike dhe keqinformimin.

Të dy diskutuan planet e kompanisë për ta respektuar Aktin e Shërbimeve Digjitale, i cili do të hyjë në fuqi për kompanitë më të mëdha në internet në shtator. Akti është një grup rregullash gjithëpërfshirëse që do të kërkojnë që platformat të reduktojnë përmbajtjen e dëmshme në internet dhe të luftojnë rreziqet në internet.

“Me audiencën më të re vjen edhe përgjegjësia më e madhe”, ka theksuar Breton. “Nuk është e pranueshme që pas veçorive në dukje argëtuese dhe të padëmshme, përdoruesve u duhen sekonda për të hyrë në përmbajtje të dëmshme dhe ndonjëherë edhe kërcënuese për jetën”.

Breton ka shtuar se me miliona përdorues të rinj në Evropë, TikToku ka një “përgjegjësi të veçantë” për të siguruar që përmbajtja e tij të jetë e sigurt.

TikToku është jashtëzakonisht i popullarizuar tek të rinjtë, por pronësia e tij kineze ka ngjallur frikën se Pekini mund ta përdorë atë për të mbledhur të dhënat e përdoruesve ose për të nxitur narrativa pro-kineze ose keqinformime. TikToku është në pronësi të ByteDance, kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.

Në fillim të këtij muaji, Shou është takuar me katër zyrtarë të tjerë nga Komisioni Ekzekutiv i BE-së në Bruksel për t’i diskutuar shqetësimet që variojnë nga siguria e fëmijëve deri te hetimet mbi të dhënat e përdoruesve që shkojnë në Kinë. Në SHBA, të paktën 22 shtete, ushtria dhe Kongresi e kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet e lëshuara nga qeveria.

Drejtoresha e politikës publike dhe marrëdhënieve me qeverinë e kompanisë me bazë në Bruksel, Caroline Greer, ka shkruar në Twitter se biseda e Bretonit me Shoun ishte “këmbim i mirë” dhe se “siguria e përdoruesve tanë është parësore”.

Breton ka thënë se ai është gjithashtu i shqetësuar për akuzat që TikToku po spiunon gazetarët dhe po transferon grupe të të dhënave personale të përdoruesve jashtë Evropës, në kundërshtim me rregullat strikte të privatësisë së bllokut 27-vendesh.

Breton ka bërë të ditur se “ia përcolli në mënyrë eksplicite” Shout se TikToku duhet t’i “rrisë përpjekjet për t'u pajtuar” me rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, të drejtën e autorit si dhe Shërbimet Digjitale, e cila përfshin dispozita për gjoba të rënda apo edhe një ndalim nga BE-ja për përsëritjen e veprave që kërcënojnë jetën ose sigurinë e njerëzve.

“Ne nuk do të hezitojmë të miratojmë shtrirjen e plotë të sanksioneve për të mbrojtur qytetarët tanë nëse auditimet nuk tregojnë pajtueshmëri të plotë”, ka theksuar ai.

Greer ka thënë se TikToku “e mirëpriti mundësinë” për ta përsëritur angazhimin e tij ndaj Aktit të Shërbimeve Digjitale dhe përshkroi përpjekjet për t’i respektuar rregullat e BE-së për privatësinë dhe një kod praktik vullnetar për keqinformim për kompanitë e teknologjisë.

Përktheu: Blerta Haxhiu