Bashkimi Evropian po heton X-in e Elon Muskut mbi përhapjen e mundshme të përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme, dhe gjuhës së urrejtjes, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.
Hetimi, i pari sipas rregullave të reja teknologjike të BE-së, do të shikojë gjithashtu mënyrën se si trajtohen ankesat.
X, i njohur më parë si Twitter, tha se kishte hequr qindra llogari të lidhura me Hamasin nga platforma, raportoi BBC.
TikTok dhe Meta janë paralajmëruar gjithashtu nga BE-ja se nuk kanë bërë sa duhet për të trajtuar dezinformimin.
Rrjetet sociale kanë parë një rritje të dezinformatave rreth konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, duke përfshirë imazhe të modifikuara.
Musk ishte përgjigjur duke thënë se: “Politika jonë është që gjithçka është e hapur dhe transparente, një qasje që e di se BE-ja e mbështet”.