Tech

Apple po punon në rritjen e sigurisë së përdoruesve

Kompania amerikane Apple, po punon për rritjen e sigurisë kibernetike, me qëllim që t’i mbrojë përdoruesit e rrezikuar nga sulmet spyware, shkruan BBC-ja të mërkurën.

Apple tha se modaliteti i sigurisë do të jetë i qasshëm në vjeshtë, me sistemin e ardhshëm operativ në iPhone, iPad e Mac. Kjo cilësi e re synon t’i ndalojë edhe thirrjet e panjohura.

Aktualisht, kompania e pajisjeve teknologjike është në gjykatë me firmën izraelite të spiunazheve, NSO Group, duke e akuzuar për shënjestrim të viktimave në mbi 150 vende të ndryshme. Firma, nëpërmjet spywarit Pegasus, arrin t’i infektojë pajisjet Android dhe iOS, duke i lejuar operatorët që t’i nxjerrin fotografitë, mesazhet dhe emailet, të regjistrojnë telefonata dhe t’i aktivizojnë fshehurazi mikrofonat e kamerat.

Grupi NSO tha se mjetet i ka krijuar për t’i kapur terroristët dhe kriminelët, derisa këmbëngul se me Pegasus, i furnizon vetëm ushtritë, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencën.

Nga Pegasusi, u targetuan pjesëtarë të familjes mbretërore arabe, mbi 600 politikanë dhe zyrtarë, 64 shefa kompanish, 85 aktivistë të shoqërisë civile, 189 gazetarë e mbi 50 mijë telefona mobilë.