Gjiganti teknologjik, Apple, ka njoftuar se do të mbajë një konferencë më 14 shtator. Në të pritet të debutojë i shumëprituri, iPhone 13.

Kompania zakonisht i lëshon telefonat e rinj në prag të vjeshtës. Për shkak të pandemisë, edhe ky organizim do të bëhet në mënyrë virtuale.
iPhone 13 pritet të jetë emri i telefonit të ri, që do të vijë me përmirësime në kamera, ekran e madje është raportuar edhe për teknologji me lidhje satelitore.
Krahas telefonave të rinj, Apple do të vërë në dispozicion edhe sistemin e ri operativ me të cilin funksionojnë telefonat, iOS15. Versioni i fundit do të sjellë përmirësime në harta, mundësinë e shpërndarjes dhe shikimit të videove bashkë në FaceTime dhe opsionin shtesë për patentë shoferë brenda Apple Walletit, varësisht vendit.
Pos iPhone 13 me disa versione, do të vijë edhe gjenerata e re e Apple Watchit dhe një palë AirPods të reja.