Tech

Administratës Biden i kërkohet përditësim mbi rishikimin e sigurisë së të dhënave në TikTok

Një grup prej gjashtë senatorësh republikanë kanë kërkuar përditësim mbi rishikimin e sigurisë kombëtare amerikane sa i përket rrjetit social TikTok, ka shkruan të premten Reuters.

Kjo kërkesë i është bërë Sekretares së Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Janet Yellen.

Komiteti i qeverisë amerikane për Investimet e Huaja në SHBA, i cili shqyrton marrëveshjet nga blerësit e huaj për rreziqet e mundshme të sigurisë kombëtare, në vitin 2020 urdhëroi kompaninë mëmë kineze ByteDance të heqë dorë nga TikToku për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve amerikanë mund t'i kalojnë Kinës.

Javën e kaluar, TikTok tha se ka përfunduar transferimin e informacionit për përdoruesit e tij amerikanë në serverët në Oracle Corp, pasi kërkon të adresojë shqetësimet e SHBA-së mbi integritetin e të dhënave.

Senatorët Tom Cotton, Ben Sasse, Mike Braun, Marco Rubio, Todd Young dhe Roger Wicker kanë kërkuar nga Yellen më shumë informacione nëse është ndërmarrë ndonjë hap për të zbatuar urdhrin e vitit 2020.

Ndër pyetjet e shtruara nga këta senatorë ishin nëse do të menaxhohet Tiktoku në nivel lokal në SHBA dhe nëse do të ketë qeveria amerikane aftësi për të hyrë dhe inspektuar në mënyrë rutinore kodin burimor të algoritmit.

TikTok është një nga aplikacionet më të njohura të mediave sociale në botë, me më shumë se një miliard përdorues aktivë globalisht dhe numëron SHBA-në si tregun e saj më të madh.