Pas disa muaj të thashethemeve, informacioneve të rrjedhura dhe spekulimeve, Apple më në fund ka njoftuar se tre modele të reja të iPhoneit do të prezantohen më 10 shtator. Dhe tani një raport i ri nga Kina na tregon specifikimet e mundshme të tre pajisjeve. Natyrisht, si gjithmonë, ky informacion duhet të merret me rezervë sepse është një informacion i pakonfirmuar, raporton GSMArena.

iPhone 11
Ky model do të jetë pasardhësi i iPhone XR dhe varianti më i përballueshëm i Apple për vitin 2019. Ashtu si modeli XR, ai do ta ketë një çmim fillestar prej 749 dollarësh dhe të njëjtin ekran si paraardhësi i tij. Modeli e ka çipsetin A13, me 4 GB RAM. Kamera e përparme e ka një sensor prej 12MP, ndërsa sensori Face ID do të vendoset në një kënd që do ta mundësojë zhbllokimin në një gamë më të gjerë. iPhone 11 do të vijë me një bateri prej 3110mAh, ndërkohë që mungon 3D Touch dhe mbështetja për Apple Pencil. Në anën e pasme ndodhet sistemi i kamerave 12MP. Opsionet e ruajtjes përfshijnë 64/256/512 GB.
iPhone 11 Pro
Pasardhësi i modelit iPhone XS e mban të njëjtin ekran OLED si paraardhësi i tij. Telefoni e ka një çipset A13, Face ID me kënde të reja, kamerë të përparme prej 12MP, opsionin e mbushjes pa tel dhe mbështetje për Wi-Fi 6. Dallimi me iPhone 11 standard është në më shumë RAM (6 GB), tre kamera prej 12MP në pjesën e pasme (standard + ultra-e gjerë + telefoto), mbështetja për Apple Pencil dhe opsionet e ruajtjes prej 128 GB, 256GB dhe 512GB. Telefoni e ka një bateri prej 3190mAh. iPhone 11 Pro do ta ruajë çmimin fillestar të paraardhësit prej 999 dollarësh.

iPhone 11 Pro Max
Ky është pasardhësi i modelit iPhone XS Max nga viti i kaluar, i cili e mban të njëjtin ekran si paraardhësi i tij, e ka të njëjtin Face ID të përmirësuar si dy modelet e tjera të reja, si dhe çipset A13, kamerën e përparme prej 12MP, mbushje pa tel dhe sistemin Wi-Fi 6. Sistemi i kamerave në pjesën e pasme është i njëjtë me iPhone 11 Pro, i ka 6 GB RAM dhe mbështetje për Apple Pencil, shkruan KOHA Ditore. Bateria e ka një kapacitet prej 3500mAh. Opsionet e ruajtjes janë 128 GB, 256GB dhe 512GB. Çmimi fillestar i modelit iPhone 11 Pro Max është 1099 dollarë.
Sugjerohet që së bashku me të tre modelet do të livrohet një adapter për mbushje prej 18W. Siç ishte sugjeruar edhe më herët, mbështetja për 5G arrin vetëm në modelet e iPhone të vitit 2020.