SPORTI NË KTV

Pas sukseseve si sulmues, Besart Berisha po bëhet gati për karrierë të madhe si trajner

Ish-futbollisti i spikatur tashmë ka shijuar suksesin e parë si trajner në Prishtinë. Skuadra prishtinase e ka mposhtur Ballkanin 2:1 në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, muajin e kaluar në Turqi.

“Synimet e mia si trajner me këtë klub të madh, më të madhin në Kosovë, është të fitoj sa më shumë trofe. Po i përkushtohem shumë dhe jam duke dhënë maksimumin, duke i ndihmuar lojtarët të bëhen gjithnjë e më të mirë”, është shprehur Berisha.

Berisha edhe më herët ishte pjesë e klubit me më së shumti trofe në vend. Si lojtar nuk i zgjati shumë qëndrimi te skuadra e kaltër. U largua pa fituar trofe. Por tani si trajner ka fituar shpejt trofe.

“E kisha dëshirën të bëhem si lojtar kampion me Prishtinën, tash e kam edhe një mundësi si trajner. Do ta kem një mundësi si trajner ta ndihmoj klubin të dalim kampion. Kjo është një gjë që më ka mbetur peng këtu në Kosovë dhe do të doja të realizohej”, ka theksuar Berisha.

“Çdo trajner, çdo lojtar edhe secili vend dëshiron ta arrij të marr pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve, mirëpo edhe me kombëtaret të vij mundësi të kualifikohesh siç bëri Shqipëria, është e veçantë dhe gjithkush ëndërron ta arrij këtë qëllim”.

Ai ishte goxha aktiv gjatë stërvitjes të cilën KOHA e përcolli nga afër. Lëvizte nëpër fushë duke u dhënë këshilla lojtarëve të rinj të Prishtinës.

Për lojtarët e Prishtinës, Berisha ka vetëm lëvdata.

“Jam shumë i lumtur si trajner të punoj me këtë grup të talentuar, por edhe me lojtarë me eksperiencë. Ta lehtësojnë punën edhe si trajner. Janë liderë, janë lojtarë që dëshirojnë të mësojnë, të përmirësohen dhe për çdo trajner është e mirë kjo. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi”.

Besart Berisha është vlerësuar lartë nga trajnerë të ndryshëm në Australi për mentalitetin fitues.

Ish-futbollisti i rritur në Gjermani shënoi 142 gola në dekadën e tij në A-League të Australisë, një periudhë magjike e cila filloi kur u transferua në Brisbane Roar. Ishte i pari që fitoi dy tituj rresht në A-League, më 2011 dhe 2012. Pas Brisbanet, Berisha shkoi në jug për t’u bashkuar me Melbourne Victoryn, ekip që e ndihmoi ta fitonte titullin e kampionit në vitet 2015 dhe 2018.

Berisha pati edhe një periudhë të shkurtër te Hiroshima në Japoni, para se të kthehej në Australi për të qenë pjesë e skuadrës së parë perëndimore që u paraqit ndonjëherë në A-League, Western Unitedit.

Berisha në dy raste është shpallur edhe golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit australian, në sezonet 2011/12 dhe 2016/17. Prej vitit 2006 deri në vitin 2009 e përfaqësoi Shqipërinë, ku shënoi një gol në 17 ndeshje, ndërsa në vitin 2017 vendosi të luante për Kosovën, për të cilin ka vetëm një paraqitje. Përpara se të zhvendosej në Australi në vitin 2011, Berisha bëri karrierë në Evropë. Ka luajtur në vende të ndryshme.

Por histori ka bërë në Australi, me trofetë e fituar, golat e shënuar dhe rekordet që ka vënë.

Mendimet për t’u bërë trajner, Berisha thotë se i kishte që prej kohës si lojtar i ri.

“Shumë herët. Më kujtohet kur isha 20-vjeçar, ende duke luajtur, gjithmonë e kam dashur këtë pjesën e rolit të trajnerit. Kam luajtur edhe ato lojërat 'Football Manager'. Gjithmonë e kam pasur dëshirën që kur ta mbylli karrierën të bëhem trajner”, tregon ai.

Te Prishtina nisi mbarë dhe zhvillimi po vazhdon. Është në fillim të një rrugëtimi të gjatë që beson se do ta dërgojë shumë lart.