Një ditë pas ndeshjes eliminatore Kosovë – Izrael, është folur shumë më tepër për gjendjen e fushës në stadiumin Fadil Vokrri” sesa për fitoren e arritur. Komuna, si pronare e stadiumit, ka hedhur përgjegjësinë për mirëmbajtjen te Federata e Futbollit me të cilën ka marrëveshje deri në fund të vitit 2027. Nga Federata kanë heshtur
Fitorja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll kundër Izraelit mbeti në hije të reagimeve për gjendjen plot baltë të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Gjendja e terrenit u rëndua edhe më shumë pas ndeshjes eliminatore për “Euro 2024” të fituar të dielën mbrëma nga Kosova, 1:0.
Futbollistët e Izraelit shprehën ankesa të shumta e një prej tyre tha se fusha i ngjante një “stalle të derrave”.
Një ditë pas ndeshjes Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj, Përparim Rama, u kritikuan për gjendjen e fushës. Këtë përgjegjësi Rama nuk e pranoi e nga Komuna nëpërmjet një reagimi thanë se është përgjegjësi e Federatës së Futbollit të Kosovës të menaxhojë stadiumin.
“Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit ‘Fadil Vokrri’ nuk është përgjegjësi e kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të memorandumit të bashkëpunimit të lidhur ndërmjet kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës më datën 30 dhjetor 2022”, thuhet ne reagimin e Komunës.
Për këtë marrëveshje 5-vjeçare, më 31 dhjetor të vitit të shkuar pati njoftuar edhe Federata, por të hënën asnjë nga zyrtarët e saj nuk kanë pranuar të flisnin për këtë përgjegjësi.
Për stadiumin komentuan edhe nga politika. Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në një postim në rrjete sociale, e ka quajtur manipulues kryetarin Rama duke u bazuar në premtimin e tij për ndërtimin e një stadiumi olimpik të ngjashëm me atë të Stambollit. Ai iu kundërpërgjigj.
“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për investime dhe mirëmbajtjen e fushës në stadiumin e Prishtinës. Kush po t'i bllokon investimet dhe mirëmbajtjen e fushës, o Përparim Rama? ‘Pak Llap, pak Gollak’, pak rrenc e pak manipulant”, ka shkruar Pacolli.
E mediat izraelite, pos për gjendjen e stadiumit, të hënën kanë raportuar edhe për fishkëllimin e himnit izraelit.
Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi i pranueshëm në Kosovë për ndeshje ndërkombëtare. Aty pos Kosovës ndeshjet i luajnë edhe skuadrat vendase që paraqiten në gara evropiane e po ashtu edhe Prishtina, që i luan ndeshjet si nikoqire.
Stadiumi është pronë e Komunës ndërkohë u rinovua para disa vjetëve me financim kryesisht të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.