Hendbollistja e përfaqësueses së Kosovës, Yllka Shatri, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Shatri të mërkurën ka firmosur me skuadrën e elitës së Islandës, IBV Handbolti.
Shatri, që luan në pozitën e pivotes dhe shquhet për angazhimin dhe kontributin për skuadrën, me skuadrën IBV ka firmosur për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
“Përmes agjencisë që më përfaqëson erdhi oferta e klubit nga Islanda, IBV Handbolti. Kisha edhe disa oferta nga vende të tjera, por vendosa për këtë në Islandë”, ka thënë Shatri për KOHËN, të mërkurën.
23-vjeçarja gjithë karrierën e ka kaluar tek Istogu, klubi i vendlindjes dhe ku u rrit. Tregon që tek Istogu ishte 11 vjet. Plot gjashtë edicione ka përvojë edhe në gara evropiane me Istogun. Prej disa vjetësh Yllka është edhe reprezentuese e Kosovës.
“Skuadra ime e re luan po ashtu në Kupa Evropiane. Vjet u ndal në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Hendbolli në Islandë është cilësor, liga është interesante. Luhet pak më ndryshe se te ne në Kosovë dhe besoj se do të përfitoj shumë në karrierë nga përvoja në këtë vend. Kam vendosur për Islandë edhe për faktin se ky vend është goxha i veçantë. Të shohim si do të shkoj, shpresoj sa më mirë”, ka shtuar Shatri.
Ajo është pjesë e një familjeje me plot sportistë. Me Istogun në edicionin e fundit e fitoi titullin e kampionit. Në fakt Istogu ka disa vjet që ka dominuar plotësisht në Superligën e Kosovës. Dhe Yllka ka dhënë kontribut në këtë dominim.
“Lojtarja e vijës nga Kosova, Yllka Shatri ka firmosur me klubin tonë. Yllka vjen nga KHF Istogu që u bë kampion i Kosovës. Yllka është e gjatë 180 centimetra dhe pivote e fuqishme. Kemi shpresa të mëdha për Yllkën dhe mezi presim ta shohim në fushë”, ka shkruar IBV në sajtin zyrtar, të mërkurën.
Nga Istogu tashmë janë larguar shumë prej lojtareve bartëse.
Me transferimin në Islandë, Yllka mund të bëhet edhe më e rëndësishme në përfaqësuesen e Kosovës në hendboll.