Më 10 janar të vitit 2020, në Benevento të Italisë, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll kishte barazuar 26:26 me Italinë. Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021. Kosova kishte përfunduar e dyta në grup, me tri pikë. Italia kishte mbetur e fundit, përkatësisht e katërta, me një pikë. Grupin e kishte fituar Rumania me gjashtë pikë, që kishte avancuar tutje.
Kosova e Italia u përballën sërish të dielën, në Winterthur të Zvicrës. Në kuadër të turneut ndërkombëtar “Yellow Cup”, Italia fitoi me rezultat 28:25.
Italia po bëhet gati për Kampionatin Botëror, që zhvillohet në Kroaci, Danimarkë e Norvegji prej 14 janarit deri më 2 shkurt. Italia për herë të dytë është kualifikuar në Botëror.
Kosova nuk do të jetë në Botëror, ndërsa është ende në pritje të kualifikimit në një ngjarje të madhe. Është në mes të kampanjës kualifikuese për Euro 2026, por sinjalet që mori nga turneu tradicional në Winterthur nuk ishin të mira.
Të përzgjedhurit e Bujar Qerimit i humbën të gjitha tri ndeshjet. Paraqitjen më të mirë e patën pikërisht ndaj Italisë. Ndeshja ishte kryesisht e barabartë, ndërsa pas pjesës së parë Kosova ishte në epërsi prej dy golave. Megjithatë gabime në fazën e fundit të ndeshjes sollën humbjen e tretë në po aq përballje në Winterthur.
Vlerësohet se Kosova duhet të mposhtë përfaqësuese të nivelit të Italisë e Zvicrës për kualifikim në ngjarje të madhe. Apo përfaqësuese si Holanda.
Me Holandën e Zvicrën, Kosova luajti në “Yellow Cup”. Dhe pësoi humbje të thella.
Të premten, Kosova u mposht me 12 gola dallim nga Holanda, 36:24. Me Zvicrën, të shtunën, Kosova pësoi me dhjetë gola dallim, 34:24. Në dy ndeshjet e para lojtarët e Kosovës shfaqën fare pak dhe nuk ishin as afër fitores. Luajtën më mirë ndaj Italisë, por sërish jo mjaftueshëm për të fituar.
Nuk ka pasur lojtarë të rinj të testuar nga Kosova. Edhe skemat taktike ishin thuajse të njëjta. Dhe marrë për bazë që të tri ndeshjet u humbën, atëherë pjesëmarrja në “Yellow Cup” nuk mund të vlerësohet e suksesshme, të paktën sa u takon rezultateve.
Edhe Holanda e Zvicra po përgatiten për paraqitje në Botëror. Zvicra madje merr pjesë me ftesë të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, pasi nuk siguroi kualifikimin.
Grumbullimin e radhës hendbollistët e Kosovës do ta kenë në mars, kur i luajnë dy ndeshje kualifikuese për Euro 2026, ndaj Ukrainës. Më 13 mars në Prishtinë është ndeshja Kosovë – Ukrainë, ndërsa më 16 mars dy përfaqësueset përballen në Klaipeda të Lituanisë. Në maj, Kosova luan në shtëpi ndaj Ishujve Faroe dhe në udhëtim ndaj Holandës. Do të jenë ndeshjet e fundit të kualifikimeve për Euro 2026.
Tashmë Kosova i ka dy ndeshje në këtë cikël eliminator. Pësoi 32:21 nga Ishujt Faroe në Torshavn, më 6 nëntor. Ndërkohë fitoi pikë të madhe më 10 nëntor në Prishtinë, kur barazoi 33:33 me Holandën. Holanda është favorite e grupit kualifikues dhe nivelin e saj e dëshmoi në ndeshjen e së premtes.
Ky ishte edicioni i 51-të i “Yellow Cup”. Kosova kishte përkrahje të madhe nga shqiptarët e shumtë që jetojnë në shtetin helvetik.