Nëse shikon me kujdes lëvizjet e Valon Dedajt në fushën e lojës, gjëja e parë që të shkon ndër mend t’i thuash është fjala lider.
Te përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka vite që përfitojnë nga pamja e mirë e lojës, aftësia teknike dhe goditjet e papritura të Dedajt. Ai është organizatori i lojës së përfaqësueses A të Kosovës në hendboll dhe kapiten i saj. Madje kapiteni më jetëgjatë i Kosovës.
Përgjegjësinë e të qenit kapiten Dedaj e mori nëntë vjet më parë, saktësisht në vitin 2016. Basketbollisti Dardan Berisha kapiten i Kosovës është nga viti 2017, ndërsa futbollisti Amir Rrahmani shiritin e kapitenit e mori pas pensionimit të Samir Ujkanit në vitin 2022.
“Nuk e harroj asnjëherë atë ditë. Ka qenë dimër, kemi qenë në përgatitje nën udhëheqjen e selektorit të atëhershëm Taip Ramadani. Ai ma besoi shiritin e kapitenit. Është ndjenjë e mirë të jesh kapiten i këtyre djemve. Nuk e harroj atë ditë të vitit 2016. Jam krenar që jam kapiten i Kosovës”, ka thënë Dedaj për KOHËN, të hënën.
Prejse Kosova ka nisur të luajë ndeshje eliminatore, në vjeshtën e vitit 2014, Dedaj
është pjesë e përfaqësueses. Ka munguar vetëm në kampionatin e parë të IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim, që në vitin 2015 u luajt në Kosovë.
“Në fillim ka qenë shumë e vështirë. Kushtet të cilat i kemi pasur nuk kanë qenë siç janë tash. Prej 2016 kemi arritur shumë. Shumë lojtarë që kanë qenë në vitin 2016, janë edhe tash. Kemi arritur edhe rezultate pozitive, por edhe negative. Kur jemi përballur me koronavirus në vitin 2021, kemi pasur mundësi të mira. Kemi mposhtur Rumaninë jashtë dhe kemi barazuar në shtëpi. Na duhej një fitore ose barazim ndaj Malit të Zi. Na kanë munguar tifozët dhe humbëm me dy gola. Më ka ardhur keq që humbëm atë ndeshje. Kemi shënuar edhe rezultate të mira ku në vitin 2019 jemi ndarë baras me Poloninë. Polonia ka qenë ekip i fortë botëror. Edhe ndaj Holandës barazuam. Ka disa lojë pozitive për ne si Kosovë. Por kur luajmë keq, emocionet janë ndryshe”, ka theksuar Dedaj.
Udhëheqësi i lojës së Kosovës është i gjatë 180 centimetra. Por gjatësia nuk ka qenë pengesë për të matur forcat edhe me lojtarë të nivelit botëror.
Dedaj është kapiten me zemër të madhe.
“Jam krenar që jam kapiten i shtetit të Kosovës. Po bëhen 9 vjet. Jam kapiten edhe i klubit në Zvicër, por nuk është e njëjta ndjenjë. Për mua ndjesia që ma jep shiriti i kapitenit te Kosova është shumë më ndryshe, shumë më e rëndësishme. Besoj se edhe një ose dy vjet do të paraqitem dhe do ta mbyll karrierën”, ka shtuar ai.
Dedaj është zhvilluar në Zvicër si hendbollist, ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë që prioritet kanë futbollin në shtetin helvetik. Por Dedaj mburret me arritjet e tij në hendboll. Ai së fundi ka ndërruar skuadër, ndërsa ka nënshkruar kontratë për dy vjet. Me përfundimin e kontratës së re 35-vjeçari thotë se do t’i japë fund edhe karrierës si hendbollist.
Por para se të përfundojë karrierën, Valon Dedaj ka një ëndërr dhe premtim për të realizuar. Nuk është larg.
Fitorja ndaj Ukrainës do të rriste maksimalisht gjasat për kualifikim historik të Kosovës në Kampionatin Evropian të hendbollit që në vitin 2026 organizohet në Danimarkë, Suedi e Norvegji.
Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Ukrainës zhvillohet të enjten prej orës 20:15 në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja e dytë zhvillohet të dielën në Klaipeda të Lituanisë.
Ndeshjet i takojnë Grupit 6 të fazës së dytë kualifikuese.
“Tash kemi rast të mirë për t'u kualifikuar. Kemi lojë të rëndësishme ndaj Ukrainës. Ia kam dhënë fjalën të ndjerit Izet Gjinovci se pa shkuar në Evropian ose Botëror nuk do të largohem nga Kosova. Këto janë fjalët e fundit të mia që ia kam thënë”, flet me emocion Dedaj.
Gjinovci për mbi dy dekada ishte sekretar i përgjithëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe figurë shumë e dashur për të gjithë lojtarët.
Kapiteni Dedaj insiston se ndjesinë që ia ka dhënë fanella e Kosovës nuk e ndërron me asgjë.
“Edhe po ta ktheja kohën prapa, nuk do të ndryshoja asgjë. Kam luajtur deri U21 për Zvicrën, por kur kam pranuar telefonatë nga Izet Gjinovci, për mua ka qenë kënaqësi. Gjithë familja është gëzuar për vendimin. Nuk e ndërroj me asgjë atë emocion”, thotë hendbollisti që gjithë jetën e ka kaluar në Zvicër. Si për shumë të tjerë, sporti përkatësisht hendbolli ia ka mundësuar që të lidhet më shumë me vendin e origjinës.
Dedaj beson se shpejt do të bëhet udhëheqës i Kosovës edhe jashtë fushës së lojës - si selektor. Ai tashmë ka disa përvoja si trajner, ndërsa të ardhmen nuk e sheh larg hendbollit.
Posti i selektorit është tjetër ëndërr e Valonit, djaloshit me ndikim në rritjen e madhe të përfaqësueses së Kosovës.
“Është ëndërr të bëhem selektor i Kosovës. Nuk do të thosha jo. Kur ta përfundoj karrierën, besoj se do ta drejtoj Kosovën A si selektor. Pyetja është kur, pasi kam edhe dy vjet kontratë, por besoj se do të bëhem selektor. Është ëndërr e imja”, ka thënë Dedaj.
Por para se ta marr përsipër drejtimin e Kosovës si selektor, ka ende punë për Dedajn brenda fushës së lojës. I mbetet ta udhëheqë Kosovën drejt kualifikimit në Evropian.