Hendbollistët e Ukrainës janë grumbulluar në Gjermani në prag të ndeshjes me Kosovën. Grumbullimi i tyre në Ukrainë është i pamundur, pasi ky vend vazhdon të përballet me pushtimin rus.
Si nikoqire, Ukraina luan në vende të tjera. Ndeshjen e kaluar e organizoi në Lituani, ndërsa edhe Kosovën e pret në Klaipeda të Lituanisë, të dielën.
Por fillimisht i gjithë fokusi është ndeshja e së enjtes, që zhvillohet nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë.
Ndeshja Kosovë – Ukrainë i takon fazës së dytë të kualifikimeve për “Euro 2026”. Në letër, Ukraina është favorite. Lojtarët e saj luajnë në nivel më të lartë se ata të Kosovës. Në short Ukraina ishte në vazon e tretë, ndërsa Kosova në të katërtën.
Në nëntor, Ukraina humbi për një gol nga Holanda, 40:39. Më pas fitoi 35:32 ndaj Ishujve Faroe. Ndërkohë Kosova fillimisht humbi 32:21 nga Ishujt Faroe e më pas barazoi 33:33 me Holandën, favorite e grupit.
“Nuk do të jetë lehtë ta mposhtim Kosovën. Është vend i Ballkanit, hendboll i Ballkanit. Dhe është sidomos vështirë të luhet në arenën e Kosovës. E dimë që Kosova luajti me sukses ndaj Holandës në shtëpi. Po ashtu e mposhti Sllovakinë në shtëpi në ndeshjen kualifikuese për Botëror. Po përgatitemi shumë seriozisht. Synimi ynë është të marrim pikët. Secila pikë është e rëndësishme”, ka thënë selektori i Ukrainës, Vadym Brazhnyk.
Ukraina në ndeshjet e Kosovës është edhe më e fortë se në dy ndeshjet e nëntorit. Janë bërë pesë ndryshime në përbërjen ukrainase, ndërsa janë afruar lojtarë me përvojë. Ndër të tjera edhe Andriy Akimenko, që luan në Ligën e Kampionëve me Dinamo Bukureshtin.
Selektori ukrainas ka thënë se të organizohen ndeshjet si vendas në shtete të tjera është proces i vështirë. Por ai është i kënaqur se si po rrjedhin gjërat, ndërsa thotë se të gjitha sfidat po kalohen.
“Tani kemi ekip edhe më të mirë se në dy raundet e para. Kemi liderë, kemi portierë me përvojë. Kemi lojtarë të fortë në shumë pozita”, ka shtuar Brazhnyk.
Ai tashmë ka informata të bollshme për Kosovën.
“Kosova ka një organizator shumë të mirë me përvojë, portierë të mirë, fundorë të fortë. Po, në disa pozita jemi më të mirë, por nëse luajmë me 80 për qind e jo me 100 për qind, do të mposhtemi. Dhe ky rregull vlen për secilën ndeshje. Sa i takon barazimit të Kosovës me Holandën, portieri i Holandës ka pritur shumë pak në atë ndeshje, ndërsa portierët e Kosovës ishin shumë të mirë. Para Kupës së Botës, Holanda dhe Kosova luajtën miqësore, ndërsa Holanda fitoi me dhjetë gola dallim”, ka theksuar Brazhnyk.
Për Kosovën ndeshja e së enjtes me Ukrainën vlerësohet me peshë të madhe. Kosova synon kualifikim në Evropian, që do të ishte historik. Ende përfaqësuesja e hendbollit, njëjtë si ato të futbollit, basketbollit e volejbollit, nuk është paraqitur në një ngjarje të madhe.
Ukraina në Botëror ka luajtur në vitet 2001 dhe 2007. Në Evropian është paraqitur shtatë herë, së fundi në vitin 2022.
Dy të parët në grup kualifikohen në “Euro 2026”, ndërsa kualifikohen edhe katër prej tetë përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë.