Të shtunën prej orës 13:00, në Neu-Ulm të Gjermanisë, do të tërhiqet shorti për Kampionatin Botëror të hendbollisteve deri në 18 vjet. Botërori i dhjetë për të reja mbahet në Chuzhou të Kinës prej 14 deri më 25 gusht.
Kosova është njëra prej përfaqësueseve që debutojnë në Botërorin U18. Gjithsej garojnë 32 përfaqësuese.
“17 përfaqësuese janë nga Evropa, duke përfshirë debutuesen Kosovën. Kosova është një prej katër përfaqësueseve që debutojnë, së bashku me Taipein Kinez, Grenlandën dhe Nigerinë. Gjashtë ekipe përfaqësuese nga Azia, katër nga Afrika, tri nga Amerika e Jugut dhe dy nga Amerika Veriore dhe Konfederata e Hendbollit e Karaibeve do të jenë në Botëror”, ka shkruar të premten Federata Ndërkombëtare e Hendbollit.
Kosova në ngjarjen globale është kualifikuar përmes rrugës dytësore, përkatësisht përmes IHF Trophy. Kjo ngjarje ka për qëllim zhvillimin e hendbollit nëpër botë, por po ashtu ofronte një biletë për Botëror. Atë e mori Kosova. Fillimisht hendbollistet e reja të Kosovës fituan garën IHF Trophy për Evropë, të mbajtur vjeshtën e kaluar në Prishtinë.
Në muajin shkurt Kosova U18 fitoi IHF Trophy ndërkontinentale. Në finale, në Tashkent të Uzbekistanit, Kosova mposhti Nigerinë. Fitoi edhe ndaj Kaledonisë së Re, Guatemalës e Uzbekistanit. Pra ndaj përfaqësueseve të vendeve me hendboll në zhvillim.
Është hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës në sportet ekipore, në konkurrencë të femrave, është kualifikuar për në Botëror.
Për short Kosova është e fundit në vazon e fundit.
Por, a do të jetë në një grup me Serbinë?
Serbia është e fundit në vazon e parë, ndërsa nuk ka ndonjë vendim publik të IHF-së që ndalon përballjet Kosovë – Serbi. Kjo gjë nuk është përmendur as në njoftimin e së premtes të bërë nga IHF-ja.
Federata Evropiane e Hendbollit ndalon përballjet Kosovë – Serbi dhe këtë e cek para çdo shorti.
Në vazon e parë janë edhe Japonia, Franca, Danimarka, Gjermania, Kroacia, Hungaria e Egjipti.