Hendbollistet e Kosovës kishin arsye për të festuar të shtunën mbrëma në Hasselti të Belgjikës. Me fitoren ndaj Bosnjë-Hercegovinës, në kualifikimet për Kampionatin Botëror, Kosova bëri hapin e parë drejtë Botërorit të vitit të ardhshëm. Kaloi me sukses fazën e parë, ndërsa suksesin historik “Dardanet” e kërkojnë nëpërmjet plejfoit. Kosova e fitoi edhe ndeshjen e parë të
Grupit 2 ndaj nikoqires Belgjikës, me rezultatin 32:28.
Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Agron Shabani, po e pret me padurim kundërshtarin tjetër që do ta mësojë në shortin që tërhiqet më 14 dhjetor në Vjenë. Por ai shpreson që t’i shmangë kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës.
“Edhe një premtim e arritëm. Këto dy fitore i dedikohen të ndjerit Izet Gjinovcit, i cili na ka përkrahur gjithë kohën, ka vrapuar pas ekipit gjithë kohën. I patëm dy ndeshje të vështira. Vajzat ishin të lodhura por prapë se prapë shfaqën motiv dhe e fituam ndeshjen. Tani varet nga kundërshtari. Shpresojmë që të kemi një kundërshtar pak më të lehtë se kampioni evropian ose botëror. Dhe më pas shohim tutje”, ka thënë selektori Shabani për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës, pas fitores së madhe.
Kapitenia Leonora Demaj shkëlqeu të shtunën me 13 gola në 15 tentime. Lojë shumë të mirë pati edhe Marigona Hajdari që shënoi gjashtë herë nga tetë tentime. Me nga katër gola në këtë fitore kontribuuan Fitore Aliu Berisha dhe Albina Rugova Tahirukaj.
“Jemi shumë të kënaqura. Ka qenë edhe një ndeshje e vështirë, sërish. Pjesa e parë ishte e shkëlqyer. Sërish në pjesën e dytë patëm rënie, por me luftë ia dolëm me fitore”, tha kapitenia Demaj.
Të lumtura me suksesin e arritur ishin edhe motrat Marigona e Arlinda Hajdari.
“Jemi kualifikuar në fazën e dytë. Jemi shumë krenare. Jam shumë krenare për ekipin, stafin dhe besoj që do të kemi shumë suksese në të ardhmen”, ka thënë Marigona Hajdari.
Portieria Aurora Kryeziu po ashtu luajti rol në fitore me 11 pritje nga 30 gjuajtje sa shkuan në drejtim të saj.
“Jam shumë e lumtur që kemi fituar. I dua vajzat shumë. Jam shumë e lumtur. Nuk kam çfarë të them”, ka deklaruar Kryeziu.
Pivotja Dafina Mustafa pati lojë të mirë në sulm, por ishte shumë e fortë në mbrojtje. Ndali shumë aksione të kundërshtareve.
“Po e ndiej veten shumë mirë. Kemi luftuar dhe e kemi merituar këtë fitore. Kemi luftuar për shtetin tonë dhe jam shumë e lumtur që e kemi arritur rezultatin shumë të mirë”, ka thënë ajo.
Të shtunën ndaj Bosnjë-Hercegovinës me fanellën e Kosovës, debutoi Mirjeta Bytyqi.
Bytyqi e shënoi një gol nga dy tentime, por tha se është pritur mirë nga bashkëlojtaret.
“Jam shumë e lumtur me këto dy lojë sepse kanë rëndësi të madhe për ne. I kaluam me shumë sukses. Edhe për debutimin mund të them që jam e kënaqur. Vajzat ma kanë lehtësuar shumë. Po ndihem shumë e lumtur, me plot emocione”, deklaroi Bytyqi.
Në rrugën drejt Kampionatit Botëror të edicionit të kaluar, Kosova kishte arritur që të avanconte në fazën e dytë kualifikuese. Por Kosova kishte humbur nga Polonia dhe nuk e kishte arritur suksesin historik.
Pas shortit që tërhiqet në mesin e muajit dhjetor, Kosova do të përgatitet për dy ndeshjet e plejofit që luhen në prillin e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Kampionati Botëror do të organizohet nga 27 nëntori deri më 14 dhjetor, në vitin e ardhshëm.