Sporte të tjera

Te Kosova pranojnë forcën e Suedisë, por premtojnë maksimumin

Kosova hendboll

Suedia është renditur e pesta në Kampionatin Evropian të hendbollisteve që përfundoi të dielën. Në ndeshjen për vend të pestë e mposhti Holandën.

Katër përfaqësueset e para të Evropianit, Norvegjia, Danimarka, Hungaria dhe Franca, janë kualifikuar direkt në Kupën e Botës 2025.

Rrjedhimisht Suedia është përfaqësuesja më e fortë që paraqitet në fazën e fundit kualifikuese për Botërorin që vitin tjetër mbahet në Gjermani e Holandë. Në short ishte e para në vazon e parë.

Dhe pikërisht ndaj Suedisë luan Kosova, në prill të vitit të ardhshëm.

Kështu hendbollistet e Kosovës vazhdon të mos i përcjellë fati. Në fazën e dytë kualifikuese për Botërorin e kaluar u përballën me Poloninë, që po ashtu është përfaqësuese shumë cilësore evropiane. Në kualifikimet e rregullta për Evropianin që përfundoi të dielën, ishin në grup me Poloninë dhe Danimarkën, që arriti deri në finale. Sërish e kishin të pamundur të fitojnë pikë.

Dhe tani do të përballen me kundërshtaren më të fortë të mundshme. Shorti është tërhequr të dielën në Vjenë. Kosova ishte e parafundit në vazon e dytë.

Ndeshja e parë zhvillohet më 9 apo 10 prill të vitit të ardhshëm në Suedi, ndërsa e kthimit më 12 apo 13 prill në Kosovë. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve kualifikohet në Botëror.

Në raundin e parë kualifikues Kosova fitoi ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Është shpresuar në short më të favorshëm për raundin e dytë. Vlerësohet se Kosova do të kishte gjasa të mëdha nëse do të përballej me përfaqësuese si Ishujt Faroe, Islanda, Austria apo Zvicra.

“Sërish na mungoi fati. Për fat të keq do të përballemi me një kundërshtare që radhitet në mesin e më të mirave në Evropian. Edhe këtë herë e kaluam me sukses fazën e parë, por nuk kemi fat me kundërshtarin direkt për kualifikim. Do të mundohemi që me dinjitet të prezantojmë shtetin tonë. Do të mundohemi të japim maksimumin edhe pse përballë do ta kemi një kundërshtare mjaft të fortë. Ne do të vazhdojmë zhvillimin. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi e të ndalemi”, ka thënë selektori Agron Shabani.

Kualifikimi në një ngjarje të madhe është synimi i madh i përfaqësueseve të Kosovës në hendboll.