Sporte të tjera

Stërvitja e vetmuar e olimpistit ukrainas në kohë lufte

Atletika

Francisco Seco kënaqet duke bërë fotografi thuajse çdo ditë nëpër qytete të ndryshme të botës. Puna e tij e radhës ishte në Ukrainë, për ta dokumentuar pushtimin rus të Ukrainës, aty ku disa sportistë po përgatiten për Olimpiadën në Paris, që nis javën e ardhshme.

Fotografi i agjencisë së lajmeve “Associated Press” e kishte në objektiv garuesin në kërcim së larti, Oleh Doroshchuk, i cili po stërvitet në qytetin Kropyvnytskyi, në qendër të Ukrainës. Qyteti është bombarduar disa herë qëkur nisi lufta.

Ekipi i “AP” ka qëndruar me Olehun për dy ditë gjatë seancave stërvitore. Në ditën e dytë ai stërviti në stadiumin e hapur, i rrethuar nga disa sportistë të rinj. Disa herë ai u desh ta ndërpriste stërvitjen për shkak të alarmit që paralajmëron sulm të mundshëm.

“Kur arrita në stadium, ndriçimi megjithatë nuk ishte më i miri. Ishte ditë me diell dhe qiell të kaltër dhe drita ishte shumë e fortë për fotografi. Kam shkrepur disa fotografi kur Olehi ishte duke u bërë gati, duke bërë zgjatje, duke ngrohur muskujt me vrapime të shkurtra”, ka treguar Seco për shkrepjen që ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare.

Më pas ai flet pikërisht për momentin epik.

“Përderisa stërvitja vazhdonte, ndriçimi filloi të përmirësohej dhe e pash hijen e gjatë që shfaqej në tokë. E dija se ishte koha e duhur. Ishte një kabinë metalike në pjesën ku ai kryente stërvitjet. U ngjita lart në mënyrë që të fotografoja nga ajo pozitë dhe të merrja një kënd më të mirë dhe të shfaqej hija sa më e gjatë e Olehut në tokë”, ka treguar fotografi.

Oleh Doroschuk është 23-vjeçar dhe vlerësohet si e ardhmja më e ndritur e atletikës së Ukrainës.

Nga ai shpresohet që të arrihet medalje në Lojërat Olimpike që organizohen në Paris, ndonëse po punon në kushte të jashtëzakonshme.

“E dija që kjo do të funksiononte dhe se nuk do të kisha nevojë të fotografoja më shumë nga ajo pozitë. Mendoj se ka funksionuar për shkak të kombinimit të disa faktorëve. Hija e zgjat hapin e Olehut. Drita e diellit të jep skenar ngrohtësie. Në atë moment, stadiumi ishte thuajse i zbrazët dhe mendoj se mund ta ndjeni momentin e vetmisë së sportistit përgjatë seancës stërvitore. Ai është sportist i cili synon lavdinë dhe përfaqësimin e shtetit të tij, që është duke u pushtuar”, ka deklaruar fotografi Seco.

Oleh Doroshchuk është fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian të atletikës në kërcim së larti. Të bronztën e kishte fituar edhe në Lojërat Olimpike për të Rinj në “Buenos Aires” në vitin 2018. Medalje të argjendta ka në Kampionatin Evropian U20 dhe U23.