Sporte të tjera

Spanja, Kina, Egjipti - tre Botërorët e hendbollistëve

Kosova U18

Me duart e mbledhura grusht dhe me një buzëqeshje në fytyrë, hendbollistët e Kosovës U18 realizuan një fotografi të përbashkët të dielën mbrëma. Fotografia e shkrepur pas suksesit të madh, do t’u mbetet kujtim gjatë gjithë jetës.

Hendbollistët e rinj të Kosovës siguruan paraqitjen në kampionat botëror që mbahet në verë në Egjipt. Është gjenerata e tretë e Kosovës që ka siguruar paraqitjen në kampionat botëror në sportet ekipore.

Në vitin 2019 hendbollistët e Kosovës U21 janë paraqitur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Spanjë, ndërsa vjet hendbollistet e Kosovës U18 u paraqitën në Botërorin e mbajtur në Kinë.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Muhamet Arifi, ka thënë se angazhimi i të gjithëve është kurorëzuar në fund me kualifikim në Botëror.

“Pas dy vjetësh angazhim, fundi ishte i jashtëzakonshëm duke u kualifikuar në Botëror me grupmoshën U18. Ëndrra e lojtarëve dhe e gjithë neve është realizuar me kualifikim në Botërorin që do të mbahet gjatë verës në Egjipt. Federata e Hendbollit e Kosovës falënderon lojtarët, stafin e trajnerëve dhe gjithë klubet që kanë punuar vazhdimisht me këta lojtarë, pasi 90 për qind e lojtarëve janë nga klubet e Kosovës. Puna e tyre është shpërblyer. FHK-ja vazhdimisht ka paraparë vazhdimin e pjesëmarrjes në ngjarje të mëdha. Kjo u konfirmua edhe me kualifikimin e grupmoshës U18. Është hera e tretë, dy herë me meshkuj dhe një herë me femra. Tani synojmë me hendbollistet e grupmoshës U17 që do të mbahet në vitin e ardhshëm”, ka thënë Arifi të hënën për KOHËN.

Arifi ka shtuar se kualifikimi i hendbollistëve U18 në Botëror, është rezultat i angazhimit të Federatës, klubeve, trajnerëve, por edhe vet lojtarëve.

Kosova U18 të dielën e fitoi “IHF Trophy Intercontinental” pasi në finale e mposhti përfaqësuesen e Nigerisë me rezultatin 34:30, pas vazhdimeve.

Ndeshjet e kësaj gare janë zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

“Mburremi me këto suksese të grupmoshave të reja. Puna për të arritur suksese nuk është ndalur asnjëherë prej pranimit me të drejta të plota nga Bordet e mëhershme të drejtuara nga Mexhit Devaja, Eugen Saraçini, i ndjeri sekretarin Izet Gjinovci dhe tash me presidentin Edi Kolgeci. Këtu nuk harrohet edhe puna e madhe e trajnerëve dhe lojtarëve e lojtareve të Kosovës. E rëndësishme është që FHK-ja ka fituar besimin e organizimit të ngjarjeve edhe nga institucionet ndërkombëtare të hendbollit. Organizimi i ngjarjeve në Kosovë i jepet kuptim vetëm atëherë kur ke rezultate kulmore, si në rastin e kualifikimit Botëror”, është shprehur Arifi.

Ai uron që edhe me seniorët, Kosova të arrij kualifikimin në ndonjë ngjarje të madhe. Me hendbollistët seniorë është afër t’ia arrijë qëllimit. Në maj ka dy ndeshje të rëndësishme për kualifikim në Evropianin e seniorëve, që mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga 15 janari deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Me suksesin e arritur mburret edhe kryetrajneri Fatmir Muhaxheri.

“Këtë gjeneratë e kemi përcjellë në tre vjetët e fundit dhe në fund u shpërblye e gjithë puna. Kemi arritur aty ku e meritojmë. Me plot meritë jemi kualifikuar në Botëror. Ka qenë punë e lodhshme, pasi të luash katër ndeshje të forta brenda një periudhe të shkurtër, është sukses për t’u vlerësuar. Federata dhe gjithë stafi ka merita të mëdha për këtë sukses. Meritat më të mëdha i kanë lojtarët për këtë arritje të madhe. Uroj të kemi mbështete edhe më të madhe për të arritur suksese tjera”, ka thënë Muhaxheri.

Ai shpreson të kenë fat në shortin për Botërorin e këtij viti në Egjipt.

“Uroj të kemi fat në short e po ashtu edhe fazës përgatitore që do ta zhvillojmë. Këta djem e kanë merituar këtë arritje dhe do të jetë motiv për të ardhmen paraqitja në Botëror. Do të kenë rastin të shohin nivelin e tyre dhe kjo do t’u shërbej shumë për të ardhmen”, ka thënë Muhaxheri.

Më i dalluari në finale ishte Amar Muqolli. Ai shënoi nëntë gola nga 14 tentime.

“Minutat e fundit nuk e kishim lojën në dorë, por si grup me angazhim të madh u kthyem dhe e rëndësishme është që fituam ndeshjen dhe arritëm kualifikimin në Botëror”, ka thënë Muqolli, i cili u shpall lojtari më i mirë i finales. “Jam i lumtur për çmimin individual”.

Ai shpreson të kenë fat në short.

“Nëse kemi shortin e mirë, besoj se nuk do ta zhgënjejmë Kosovën dhe do të kemi rezultate të mira edhe në Egjipt”, është shprehur Muqolli.

Kosova U18 paraqitjen në Botëror e siguruan nëpërmjet “IHF Trophy”, rrugës së dytë dhe më e shkurtër. IHF Trophy është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por po ashtu ka ofruar një biletë për Botëror.