Skitarja kroate, Zrinka Lutiq, ka fituar të dielën në garën e sllallomit në Kranjska Gora të Sllovenisë. Gara ishte pjesë e Kupës së Botës në skijim alpin.
Dy lëshimet, Lutiq i përfundoi me kohë prej 1:39.62 minuta.
Wendy Holdener e Zvicrës ishte e dyta, ndërsa Ana Swenn Larsson e Suedisë e treta.
U paraqit edhe garuesja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi. Ajo u rendit e 13-ta.
Të shtunën Colturi ishte e dyta në sllallom të madh, po në Kranjska Gora.
Kroatja Lutiq për herë të dytë rresht ka fituar në garat e sllallomit në Kupën e Botës.
“Jam pa fjalë. Jam ndier mirë, vetëm kam dashur të jem më e shpejtë në fund dhe ia dola për pak. Ky është vetëm fillimi”, ka thënë Lutiq, që është bërë kroatja e parë që ka fituar në sllallom në Kranjska Gora.