Sporte të tjera

Skitarja e Shqipërisë e dyta në Kupën Botërore në Austri

Lara Colturi

Skitarja Lara Colturi, që garon për Shqipërinë, ka arritur sukses të madh të shtunën. Në garën e Kupës Botërore në Gurgl të Austrisë, Colturi u rendit  e dyta. Para saj ishte vetëm skitarja legjendare nga SHBA-ja, Mikaela Shiffrin. Camille Rast e Zvicrës ishte e treta.

Gara në Gurgl ishte e treta e Kupës së Botës për edicionin 2024/2025. Kupa e Botës në skijim alpin është seri garash në disiplinat e ndryshme. Është gara kryesore në skijim. 

18-vjeçarja Colturi është italiane, por nga maji i vitit 2022 përfaqëson Shqipërinë. Është prej skitareve më premtuese në botë.

Colturi për televizionin zviceran “RSI” pas garës, ka deklaruar se suksesi është arritur vetëm falë punës së madhe në stërvitje. 

“Ishte garë e mrekullueshme. Kam kaluar disa ditë vërtet të mira në stërvitje dhe po ndihesha shumë, shumë mirë. Më në fund arrita të shfaq gjithçka që unë di të bëj nëpër gara”, ka deklaruar fillimisht Colturi për televizionin zviceran. 

Kur u pyet se a e ka pritur një sukses të tillë, Colturi theksoi se nuk e mendon këtë para se të garojë. Ajo shtoi se më e rëndësishmja për të është që të përqendrohet në gara dhe ta jap maksimumin për të arritur suksese. 

“Në realitet, vëmendja ime është te përqendrimi dhe argëtimi nëpër gara. Unë përpiqem të sjellë ndjesi të mirë. Ky është synimi im në çdo garë dhe pastaj vijnë edhe rezultatet”. 

Colturi ditë më parë e festoi ditëlindjen e 18-të dhe është e lumtur për sukseset e hershme, pasi përvoja e fituar mund t’i shërbejnë edhe në të ardhmen. 

“Kam mbushur 18 vjet dhe jam shumë e lumtur. Tani do të përpiqem të përqendrohem të bëj skijim sa më të mirë dhe t’u gëzohemi sukseseve bashkë me ekipin tim. Do të mundohemi që së bashku të bëjmë gjëra të mira”, ka deklaruar Colturi. 

Gara e së shtunës ishte në sllallom dhe dëshmon për potencialin e madh që ka garuesja që përfaqëson Shqipërinë.

Shiffrin e shënoi fitoren e 99-të në Kupën e Botës dhe të 62-të në sllallom.

“Është moment historik pasi Colturi bëri skitarja e parë e Shqipërisë që zë vend në podium në Kupën e Botës. Ajo për herë të parë është në top-treshe”, ka shkruar “skiracing.com”.

Shifrini e përfundoi garën në Gurgl me kohën 1:40.22 minuta, pas dy lëshimeve. Kjo ishte e mjaftueshme që të jetë më e suksesshmja, në fitoren e 99-të të saj në Kupa Botërore. Për njërën prej skitareve më të mira në histori, ishte triumfi i 62-të në garat në sllallom. Colturi e mbylli garën me 0.55 sekonda vonesë, por ishte më e shpejtë se zvicerania Rast për 0.57 sekonda. 

Si për Colturin, ashtu edhe për 25-vjeçaren Rast, ishte hera e parë që ngjiten në podium në një ngjarje të tillë.