Sporte të tjera

Skënderbeu kundër Skënderbeut në Ligën “Gjergj Kastrioti”

Skënderbeu

Një gjë është e sigurt. Skënderbeu do të jetë në finale të Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll.

Por se a do të jetë Skënderbeu nga Kosova apo Skënderbeu nga Shqipëria, do të mësohet më 1 mars. Në ditën e parë të muajit të ardhshëm, dy klubet që mbajnë emrin e heroit kombëtar do të përballen në gjysmëfinale të edicionit të katërt të Ligës “Gjergj Kastrioti”. Gjysmëfinalja tjetër në konkurrencën e meshkujve do të jetë ajo në mes të Partizanit të Tiranës dhe Ferizajt.

Liga “Gjerg Kastrioti” luhet nga skuadrat më të mira të volejbollit në Kosovë e Shqipëri.

“Sa i përket ekipeve, mendoj se nuk kemi dallim në cilësi. Besojmë se do të shkojmë në finale”, ka thënë trajneri i Skënderbeut nga Kosova, Astrit Shala.

Ky klub është nga fshati Kraishtë e Lipjanit.

Finalen synim e ka edhe Skënderbeu i Korçës.

“Bukuria do të jetë se do të përballen dy ekipet që mbajnë emrin e njëjtë, Skënderbeu i Kosovës dhe Skënderbeu i Shqipërisë. Le të fitojë më i miri, por sigurisht që objektivi jonë është fillimisht të kalojmë në finale dhe pastaj të përballemi me Partizanin në finale”, ka theksuar përgjegjësi teknik i Skënderbeut të Korçës, Juxhin Çili.

Do të jetë hera e parë që do të përballen dy klubet me emrin Skënderbeu.

Klubi nga Kraishta u themelua në vitin 1984, kurse ai nga Korça në vitin 1909.

Skënderbeu

Në fakt shumë klube sportive nga Korça quhen Skënderbeu, duke përfshirë atë të futbollit.

“Është hera e parë që përballemi me Skënderbeun. Është historike përballja e dy skuadrave me të njëjtin emër. Është ndjenjë e mirë, pasi është hera e parë. Skënderbeu jonë po bën histori dhe është shumë e bukur. Përgatitjet i kemi filluar më herët. Kemi pasur shkëputje 2-3 ditë për shkak të sallës së zënë, por nga nesër do të rifillojmë përgatitjet”, është shprehur trajneri Shala.

Gjysmëfinalet dhe finalet e ligës “Gjergj Kastrioti” në të dyja konkurrencat do të zhvillohen në Kosovë.

Shala thotë se përkrahja ekipit nuk i ka munguar asnjëherë. Por ai bën thirrje për përkrahje masive për ndeshjen e veçantë ndaj Skënderbeut të Korçës.

“Ne kemi pasur gjithmonë përkrahje. Tash do të jetë diçka më ndryshe për shkak edhe të kundërshtarit që do ta kemi në gjysmëfinale. Ne kemi shikueshmëri më shumë

se klubet tjera nga Shqipëria e Kosova”, ka shtuar Shala. Ai beson edhe në sukses.

 “I kemi dy kolumbianë në skuadër, po presim ta kthejmë edhe një pasues. Ai ka pasur disa punë në Zvicër dhe do të na kthehet. Edhe pasuesi aktual është i mirë, por me ardhjen e tij do të bëhemi edhe më të kompletuar”.

Në Ligën “Gjergj Kastrioti” gjithsej morën pjesë 16 ekipe. Tetë ekipe të volejbollistëve dhe tetë të volejbollisteve. Fillimisht ekipet kanë qenë të ndara në dy grupe.

Për Skënderbeun e Korçës është hera e parë që merr pjesë në fazën finale të Ligës “Gjergj Kastrioti”.

“Me ekipin e meshkujve është hera e parë që jemi pjesë e këtij rangu në ligën ‘Gjergj Kastrioti’. Këtë vit kemi tre lojtarë amerikanë, duke rritur cilësinë e ekipit. Jemi në vendin e dytë të kampionatit, kemi siguruar gjysmëfinalen si të parët nga Liga ‘Gjergj Kastrioti’ e po ashtu jemi në garë edhe për Kupë të Shqipërisë. Do të jetë ndeshje interesante ndaj Skënderbeut të Kosovës. Por synimi ynë është finalja ndaj Partizanit. Partizani ka një ekip shumë të mirë, pasi thuajse i gjithë ekipi është i përbërë me lojtarë të kombëtares së Shqipërisë”, është shprehur Juxhin Çili.

Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, thotë se Liga “Gjergj Kastrioti” e ka arritur efektin e vet.

“Ne konsiderojmë se liga është duke arritur qëllimin, ka karakter kombëtar dhe rritë vlerat e bashkëpunimit të mirë që kemi me Federatën Shqiptare të Volejbollit, gjë që ka kulmuar edhe bashkëpunimin sa i përket organizimit të evropianit U16. Po besoj se kjo ligë dhe aktivitetet e përbashkëta do të kontribuojmë në rritje të cilësisë së ekipeve tona. Po besoj se është efektive dhe për ekipet e Kosovës dhe Shqipërisë është mjaft atraktive”, ka thënë Nikqi.

Gjysmëfinalet për volejbolliste do të luhen më 28 shkurt. Skënderbeu i Korçës do të jetë përballë Dritës së Gjilanit, kurse Fer Volley luan ndaj Ferizajt.

Ligë të përbashkët Kosovë – Shqipëri ka edhe në basketboll.