Sporte të tjera

Shqipërisë i largohet skitarja me potencial për medalje olimpike

Lara Colturi

Lara Colturi konsiderohet si një nga talentet më të mëdha në skitari. Ajo ka marrë pjesë në 57 gara të Kupës së Botës deri më tani dhe u ngjit tri herë në podiumin e garave të mëdha.

Colturi në podiumin e garave të mëdha në skijim ishte ngjitur në nëntorin e vitit të kaluar, kur e kishte zënë vendin e dytë në garën e Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë, në sllallom.

Vend të dytë në Kupë të Botës, Colturi zuri edhe në shtegun e Kranjska Goras së Sllovenisë, kurse vendin e tretë e zuri në Are të Suedisë më 8 mars.

Colturi u lind me talent. Nëna e saj, Daniela Ceccarelli, është kampione olimpike e vitit 2002 në Super G. Kupa e Botës është seri e garave kryesore të skijimit alpin.

Colturi është 18-vjeçare, ndërsa Shqipërinë e përfaqëson prej vitit 2022. Vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë u përcoll me reagime të mëdha nga komuniteti i skitarisë në Itali. Shqipërisë iu bashkua pa pëlqimin e Italisë.

Tani Colturi është sërish në qendër të vëmendjes. Top Channel ka raportuar të enjten se Colturi ka paraqitur kërkesë në federatë për të ndryshuar përfaqësuese – për t’iu bashkuar Italisë. Por kërkesa e Colturit, sipas mediumit shqiptar, është refuzuar.

“Kërkesa e saj për t’u larguar, sipas burimeve konfidenciale të Top Channel pranë Komitetit Olimpik, nuk është miratuar, pasi në bazë të rregullave botërore të Federatës Ndërkombëtare të Skive, nëse ajo largohet pa miratim, atëherë Lara Colturi do të qëndrojë një vit pushim, një vit pa Kupë Bote dhe gjithçka në vitin e Olimpiadës Dimërore, asaj që zhvillohet në vitin 2026”, shkruan Top Channel.

Colturi synon të paraqitet në Lojërat Olimpike 2026 që mbahen në Itali. Por ajo duhet të raportojë ndryshimin e përfaqësueses në Federatën Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS) deri më 1 maj.

Për kërkesën e Colturit për t’u larguar nga Shqipëria ka shkruar edhe gazeta e madhe zvicerane “Blick”.

Por pse dëshiron Colturi të kthehet në Itali? Ka spekulime për mungesë të buxhetit dhe prestigjit në Shqipëri. Përveç këtyre, emrat e mëdhenj të Italisë si Federica Brignone, 34-vjeçare, Sofia Goggia, 32-vjeçare dhe Elena Curtoni, 34-vjeçare, tashmë janë mbi 30 vjeç. Karriera e tyre nuk do të zgjasë edhe shumë dhe Colturi mund të mbushë boshllëkun që do ta lënë yjet italiane të skitarisë”, shkruan “Blick”.