Lara Colturi dëshiron që të garojë sërish për Italinë. Por Federata Shqiptare e Skive (FSHS) ka refuzuar deri tani ta pranojë dëshirën e saj. Ndërkohë, po e vazhdon luftën që ta mbajë skitaren e talentuar të garojë për Shqipërinë – dhe është e gatshme të shpenzojë shumë para për një gjë të tillë, ka shkruar mediumi zviceran “Blick” të shtunën.
Në sezonin e kaluar, 18-vjeçarja Colturi shkroi historinë. Ajo e siguroi podiume në Kupë të Botës në skijim alpin për herë të parë për Shqipërinë. Dhe mund të jenë të fundit, pasi Colturi tani dëshiron të garojë sërish për Italinë.
Skitarja italiane e ka përfaqësuar Shqipërinë prej vitit 2022. Ajo e ndërroi përfaqësimin me pajtim të Federatës Skitare të Italisë, pasi ishte nën moshën 16-vjeçare. “Unë u linda në Itali, por është më mirë për karrierën time”, kishte thënë Colturi për “Blickun” në atë kohë.
Lëvizja i lejoi Colturit të vazhdojë të garojë me ekipin e saj privat, ndërsa rol në këtë luajti nëna e saj, 49-vjeçarja Daniela Ceccarelli. Falë saj, Colturi e mori pasaportën e Shqipërisë. Kampionia Olimpike e vitit 2002 në Super-G, dikur ka punuar si trajnere te Shqipëria. Kështu, ajo u pajis me pasaportë shqiptare dhe bëri kërkesë edhe për vajzën e saj, vazhdon tutje mediumi helvetik.
Megjithatë, kërkesa e fundit për lëvizje është më e komplikuar. Kësaj radhe, ndryshimi i Federatës nuk do të ndodh pa pranimin e Shqipërisë. Federata Shqiptare e Skive po lufton që Colturi të vazhdojë ta përfaqësojë flamurin shqiptar.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toci, e kupton dëshirën e Colturit për ta përfaqësuar shtetin e saj të lindjes në Olimpiadën e vitit 2026 në Itali.
“Por ne jemi duke i ndjekur interesat tona”, ka thënë Toci në një intervistë dhënë për “Top Channel” të Shqipërisë. “Pa Shqipërinë, ajo nuk do të ishte skitarja që është sot, edhe pse ajo së fundmi është stërvitur në Italia”.
Ende nuk dihet se për kë do të garojë Colturi në të ardhmen. Edhe aspekti financiar është çështje për të cilën po diskutohet. Toci e ka pranuar se nuk kanë qenë në gjendje të mbledhin buxhetin e nevojshëm për një sportiste si Colturi. Por, do të bëjnë çdo gjë për të rritur të ardhurat. Edhe Qeveria ka nisur ndihmën për FSHS-në.
“Kryeministri Edi Rama na ka premtuar shumë ne 300 mijë eurove”, ka bërë të ditur Toci.
Vendimi i Colturit pritet të merret shpejtë. Ndryshimi i përfaqësimit të shtetit duhet të raportohet edhe në Federatën Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS) deri më 1 maj. Nëse Colturi bën ndryshim të përfaqësimit të shtetit pa pëlqim, ajo do të dënohej nga të gjitha garat e Kupës së Botës dhe ngjarjet e tjera madhore. Kjo e përfshinë edhe Lojërat Olimpike Dimërore që në vitin tjetër organizohen në Cortina d’Ampezzo të Italisë. Ajo dëshiron që ta shmang një dënim të tillë.
Colturi në nëntor të vitit të kaluar kishte zënë vendin e dytë në garën e Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë, në sllallom.
Vend të dytë në Kupë të Botës, Colturi zuri edhe në shtegun e Kranjska Goras së Sllovenisë, në sllallom të madh.