Hendbollistët e Kosovës të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë realizuan fitore të madhe e shumë të rëndësishme ndaj Ukrainës, 31:30.
Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Grupit 6 të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian që vitin tjetër organizohet në shtetet skandinave, Danimarkë, Suedi e Norvegji. Pikërisht në Suedi, Leonard Gegaj bën karrierë.
Fitorja ishte dramatike. U vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa festa ishte shumë e madhe. Lojtarët ishin shumë të gëzuar, njësoj si edhe Gegaj.
Gegaj ishte golashënuesi më i mirë në ndeshje. Ai i pati nëntë gola të shënuar në 12 tentime. U shqua me gola të bukur, por edhe kontribut tjetër. Në aspektin fizik dhe jo vetëm, djaloshi fjalëpak ishte superior.
24-vjeçari të premten për KOHËN ka thënë se ishte nata e tij. Por, pa ndihmën e bashkëlojtarëve, Gegaj thotë se nuk do të mund t’ia dilte.
“Mund të them se loja shkoi mirë. Sa herë që grumbullohemi, përgatitemi për të dhënë 100 për qind, pavarësisht se kush vjen në Kosovë, luftojmë fort për të marrë rezultat pozitiv. Luftojmë për 60 minuta dhe kushdo që vjen në Kosovë nuk mund të fitojë lehtë e me dallim të madh të golave. E kemi ditur se Ukraina ka ekip të mirë dhe ka luajtur disa herë në Evropian, por kemi qenë të fokusuar në tërë ndeshjen”, thotë Gegaj, i cili shton se Kosova pati rastin të fitonte me më shumë gola dallim.
Gegaj bën karrierë në kategorinë e dytë të hendbollit suedez, ndërsa synim e ka Superligën në Suedi, apo transferimin në Zvicër apo Spanjë.
Kontribut në fitore dha edhe kapiteni Valon Dedaj, që realizoi tetë gola. Luigj Quni i kishte katër gola sa edhe Egzon Gjuka e Drenit Tahirukaj. Drilon Tahirukaj dhe Bujar Ramosaj shënuan nga një gol. Paraqitje të mirë në portë pati Haris Berisha.
“Unë përgatitem mirë për çdo lojë. Në ndeshjen e fundit e kam pasur edhe ditën time. Me ndihmën e Zotit dhe të bashkëlojtarëve të mirë, e kisha më të lehtë të shënoja gola e të asistoja. Ke më pak stres nëse bën gabim sepse janë 6 apo 5 lojtarë përreth që të mbulojnë e të ndihmojnë. Në Kosovë këtë ndihmë e kam përherë”, thotë Gegaj që tani është i fokusuar për duelin kthyes ndaj Ukrainës.
Ndeshja Ukraina–Kosova luhet në Klaipeda të Lituanisë, të dielën nga ora 18:00.
“Në ndeshjen kthyese ndaj Ukrainës do të jetë më vështirë. Nuk i kemi shikuesit siç i kemi në Kosovë dhe kjo na i vështirëson punët. Edhe ukrainasit do ta kërkojnë fitoren sepse edhe ata janë në të njëjtën situatë si ne. Edhe ata duan të luajnë në Evropian si ne. Por ne vetëm duhet të përgatitemi si gjithmonë dhe të luftojmë siç dimë ne. Duhet ta shikojmë vetëm lojën tonë”.
Kosova e arriti fitoren e parë në kualifikime por është dashur të pres deri në momentet e fundit për ta konfirmuar atë.
Kosova pati nisje të mbarë dhe krijoi epërsi 9:6 dhe asnjëherë nuk ishte në disavantazh për tërë ndeshjen. Luigj Quni shënoi për 21:15 në minutën e 37-të dhe u duk se Kosova do të arrinte te fitorja me lehtësi, por brenda nëntë minutash, Ukraina i barazoi shifrat në 23:23.
Të mbështetur nga dhjetë golat e Dmytro Artemenkos, vizitorët ishin afër të merrnin një pikë nga ky ballafaqim, por e lanë arenën me kokë ulur. Kosova ka mundur që ta zgjidhte ndeshjen më herët, por kapiteni Valon Dedaj i humbi dy penallti në minutat e fundit.
Pavarësisht se Kosova fitoi me vetëm një gol dallim, gjasat për kualifikim në Evropian janë rritur dukshëm. Do të ishte sukses historik.
Gegaj ka kohë që vlerësohet me potencial të madh, ndërsa atë e konfirmoi të enjten mbrëma. Të tjera paraqitje të atij niveli priten prej tij në të ardhmen.