Adell Shaboviq do ta prezantojë Kosovën në garat e notit në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Shaboviq, 21-vjeçar, dhe Hana Beiqi janë përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit për ta përfaqësuar Kosovën me ftesë të universalitetit. World Aquatics ka përzgjedhur dy notarët me më së shumti pikë FINA dhe ata ishin Shaboviqi e Beiqi.
Adell Shaboviq është i lindur dhe i rritur në SHBA. Vazhdon të jetojë në këtë vend. Por ka prejardhje nga Peja. Është pjesë e një familjeje të madhe, ndërsa shumica e anëtarëve të saj mbiemrin e kanë Shabaj. Por disa njihen me emrin Shaboviq.
Përzgjedhja e Shaboviqit po kundërshtohet nga Federata e Notit e Kosovës. Sipas FNK-së, Shaboviqi nuk ka të drejtë të garojë për Kosovën. Ndryshe vlerësojnë World Aquatics e Komiteti Olimpik i Kosovës. Përplasjet mes FNK-së e KOK-ut sa shkojnë e rriten, ndërkohë që Shaboviq të hënën arriti në Kosovë. Pas më shumë se dy javësh do të niset për në Paris për ta prezantuar Kosovën në ngjarjen kryesore sportive.
“Është hera e parë që kam ardhur pasi jam përzgjedhur për të prezantuar vendin në Lojëra Olimpike. Jam shumë i entuziazmuar. Sinqerisht nuk mund të jem më i lumtur. Familja ime është e mahnitur. Kam njerëz afër që duan të më shohin të bëj gjënë e duhur për familjen dhe për vendin. Është kohë e mirë, jam shumë i entuziazmuar”, ka thënë Shaboviqi në një intervistë për KOHËN, të hënën.
Ka paqartësi për mënyrën se si Shaboviqi u bë pjesë e ekipit olimpik të Kosovës. Ai tregon që tre vjet më parë kishte kontaktuar Federatën e Notit të Kosovës për ta pyetur rreth mundësisë që të garojë për Kosovën. Ka pasur shumë zhvillime prej atëherë. FNK-ja fillimisht përmes një letre ia konfirmoi Shaboviqit se do ta prezantojë Kosovën, dhe përmes një letre tjetër se do të përzgjidhet për gara nëse i ka numrin më të madh të pikëve. Ai, megjithatë, nuk u përzgjodh për Botërorin e mbajtur në shkurt dhe e dërgoi FNK-së në CAS në Lozanë. E humbi rastin për çështje procedurale.
Ndërkohë e zhvilloi një garë në SHBA duke e prezantuar një klub të Kosovës. Pasaportën e Kosovës e mori vjet, dhe World Aquatics e renditi si notarin nga Kosova me më së shumti pikë FINA. Dhe ia dërgoi ftesën për universalitet, që u konfirmua ndërkohë nga KOK-u.
FNK-ja vazhdon të kundërshtojë fuqishëm përzgjedhjen e Shaboviqit.
“Vendimi për ta prezantuar Kosovën ishte shumë i lehtë. Babai im është i lindur këtu, në Pejë. Ka tetë vëllezër e motra. Jemi familje shumë e madhe. Kemi shumë kushërinj. Një pjesë e mirë e tyre ka vendosur të jetojë këtu. Jam shumë djalë krenar, jam krenar për të arriturat, për familjen. Të jem në gjendje të përfaqësojë familjen dhe vendin prej nga vjen familja ime, do të thotë shumë për mua. Nuk mendoj se ka diçka më të mirë që do të mund të bëja se të prezantoj familjen dhe të bëj më të mirën për të”, ka theksuar Shaboviq.
Ai ka thënë se iu drejtua CAS-it pasi nuk kishte mundësi tjetër për të shpresuar që ta prezantojë Kosovën. Vlerëson edhe angazhimin e KOK-ut për përfshirjen e tij në ekipin olimpik. Lidhur me kundërshtimet e FNK-së nuk dëshiron të flasë shumë.
“Kam përkrahje shumë të madhe. Një pjesë e familjes erdhi për të më pritur në Aeroport. Familja e ka ditur se kam përkrahje nga stafi sportiv, por ka vendosur të vijë për të më treguar se është këtu për mua. Kam përkrahje nga familja dhe nga shokët. Të gjithë shpresojnë të më shohin të bëj më të mirën. Edhe unë shpresoj të bëj më të mirën për vendin”, thotë Shaboviq.
Fakti se paraqitet me ftesë është dëshmi që Shaboviqi nuk do të përfshihet në garë për medalje në Lojërat Olimpike të Parisit. Por nuk e përjashton mundësinë që të fitojë normë për Lojërat Olimpike 2028. Thekson se i ka edhe shumë vjet në not.
“Synimi është të notoj shpejt. Notoj për më shumë se dhjetë vjet dhe për kohë shumë të gjatë kam dashur ta përfaqësoj familjen, të bëj më të mirën për të. Më e mira që mund të bëj është të fokusohem në stërvitje për Paris dhe të paraqitem mirë. Është diçka për të cilën kam ushtruar shumë gjatë. Jam i vendosur të bëj më të mirën”.
Ndonëse jo i gjithë komuniteti i notit në vend e përkrah dhe emri i tij është përmendur si pjesë e një konflikti mes institucionesh sportive, Adell Shaboviq është shumë krenar. Është i lumtur që e bën krenar edhe babanë e tij.
“Nuk mund të jem më krenar. Është ëndërr që e kam pasur për kohë të gjatë. Më sjell shumë kënaqësi. Vetëm të shoh fytyrën e babait tim pasi kemi kuptuar se jam përzgjedhur për Olimpiadë, mendoj se nuk kishte mënyrë më të mirë për të shpaguar atë që ka bërë për mua. Mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë t’i shërbej vendit se të dal e të notoj. Do të bëj më të mirën dhe në këtë jam i fokusuar”, ka theksuar Shaboviq.
Përplasje të tjera e shpalosje dokumentesh priten në ditët e ardhshme. Ndërkohë Shaboviqi do të kalojë sa më shumë kohë në pishinë, që në Paris të jetë në formën më të mirë të mundshme.