Dhjetë tituj rresht. 19 gjithsej. Besa Famgas është skuadër dominante në Superligën e Kosovës në hendboll.
Por dominimit të skuadrës pejane në kampionat mund t’i vijë fundi të mërkurën. Dhe atë pikërisht në Pejë, në palestrën “Karagaçi”, ku Besa Famgas ka festuar shumë nga sukseset e mëdha.
Në finale të plejofit të edicionit 2023/2024, Besa Famgas po përballet me Rahovecin. Ndeshja e parë u zhvillua të shtunën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ndërsa u fitua nga “vreshtarët” me rezultat 34:30. Pas pjesës së parë të barabartë, rahovecasit dominuan në pjesën e dytë për të bërë hapin e madh drejt titullit të kampionit.
Ndeshja e dytë finale është të mërkurën prej orës 19:00. Skuadra që i shënon dy fitore shpallet kampione. Pra Rahoveci me fitore e fiton titullin e kampionit. Të parin në histori.
Me fitore të Besa Famgasit, kampioni caktohet në ndeshjen e tretë, që do të luhej në fundjavë po në Rahovec.
Rahoveci e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë dhe për këtë e ka përparësinë e terrenit në ndeshjen e tretë eventuale. Gjatë gjithë kampionatit e kishte vetëm një disfatë. Kishte pësuar nga Besa Famgas. Besa e mposhti edhe në gjysmëfinale të Kupës. Kupën e fitoi më pas Kastrioti, që e mposhti Besën në finale.
Katër ndeshjet e stinorit të rregullt dhe gjysmëfinalja e Kupës mes Rahovecit e Besës ishin shumë të barabarta. Katër prej këtyre ndeshjeve kishin përfunduar me një gol dallim dhe vetëm një me dy gola dallim.
Finalja e parë e plejofit përfundoi me fitoren me katër gola diferencë të Rahovecit. Tani “vreshtarët” janë shumë afër titullit. Dhe për t’i dhënë fund dominimit të plotë të Besës në Superligë.
Ka pak vjet që Rahoveci ka nisur ngritjen dhe konsolidimin si klub hendbolli. Edicionin e kaluar ishte prej skuadrave kryesore. Këtë edicion ishte kryesorja. Por plejofi dallon nga stinori i rregullt. Kështu që “vreshtarëve” u mbetet të konfirmojnë forcën të mërkurën në Pejë, apo potencialisht në fundjavë para tifozëve të tyre.
Besa Famgas, e mësuar me tituj të kampionit, me shumë vështirësi do të pajtohet që t’i ndërpritet dominimit. Rrjedhimisht pritet ndeshje interesante dhe shumë e fortë të mërkurën mbrëma në “Karagaçi”.
Te hendbollistet kampion është Istogu. Në finale të plejofit, Istogu fitoi 2:0 në ndeshje ndaj Ferizajt.