Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, e ka humbur ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Kupës Evropiane, nivelit të tretë të garave kontinentale.
Të shtunën në palestrën “Mizahir Isma” para afro 2000 shikuesve, Rahoveci humbi me shtatë gola dallim nga skuadra rumune, Minaur Baia Mare, 38:31.
Pjesa e parë u mbyll 19:11 në të mirë të mysafirëve.
Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në Rumani.
Në ballafaqimin e së shtunës janë shpalosur flamuj shqiptarë, ndërsa masat e sigurisë ishin të larta për shkak të incidenteve nga ndeshja e kaluar mes Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve.
Në Bukuresht kishte thirrje “Serbia, Serbia”, dhe lojtarët e Kosovës ishin larguar nga fusha. Nuk ishin kthyer më, ndërsa më pas UEFA vendosi që ndeshja t’i takojë Rumanisë me rezultat zyrtar, 3:0.
Por të shtunën nuk pati asnjë incident.
Te Rahoveci, golashënuesi më i mirë ishte Egzon Gjuka me nëntë gola nga 15 tentime. Lojë të mirë pati edhe Victor Alonso që shënoi gjashtë gola në nëntë tentime, kurse Stefan Atanasovski shënoi katër gola në po aq tentime.
Shumë i mirë në portë ishte portieri Arbër Curri që kishte 14 pritje në total.
Stefan Gabriel Cumpanici ndërkohë ishte më i miri te skuadra rumune me tetë gola nga 12 tentime. Gjashtë gola i kishte Anderson Da Silva Mollino, në dhjetë gjuajtje drejt portës.
Klubi rumun, Minaur Baia Mare, vlerësohet favorit për ta kaluar edhe këtë raund për shkak të përvojës së madhe në këtë garë, ku është paraqitur edhe në finale në të kaluarën.
Për Rahovecin është paraqitja e dytë në garat evropiane.
Në raundin e dytë, Rahoveci e eliminoi skuadrën Bocholt të Belgjikës.
Ndeshja kthyese do të luhet pas një jave në Baia Mare të Rumanisë.